14 gra lindën binjakë, dy trenjakë gjatë qershorit në QKUK

797 lindje janë kryer gjatë muajit qershor në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Nga 797 lindje, 434 janë lindur meshkuj, ndërsa 381 femra.
Këto të dhëna për rtv21.tv i ka bërë të ditura drejtori i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike, Jakup Ismajli, i cili ka informuar se gjatë muajit që lamë pas, 293 lindje janë kryer me operacion.
Gjatë muajit qershor, 14 gra kanë lindur binjakë në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të QKUK-së, ndërsa dy gra kanë lindur trenjakë.
Sipas të dhënave, në 6 mujorin e parë të këtij viti janë kryer 4 mijë e 379 lindje në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Kujtojmë që, gjatë vitit 2021, prej janarit deri në fund të nëntorit, në QKUK janë lindur 8 mijë e 44 foshnje./21Media

Back to top button