19 vjet nga vdekja e Jashar Salihut
Salihu ishte përfaqësuesi i parë diplomatik në Zvicër
Sot mbushen 19 vjet nga vdekja e Jashar Salihut, përfaqësuesit të parë diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, në Zvicër, dhe njëherësh ish-kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”.
Që nga vitet e 70-ta, Jashar Salihu ishte anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve shqiptare në ish-Jugosllavi, respektivisht ndër anëtarët më aktivë të grupeve ilegale të asaj kohe që vepronte brenda organizatës ilegale të quajtur Komiteti për Deçan, në kuadër të lëvizjes së udhëhequr nga ideologu, veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare, Jusuf Gërvalla.
Bashkë me vëllain e tij, Hajdarin, ata ishin dalluar për guximin e tyre politik që haptazi iu kundërviheshin qëndrimeve e veprimeve të udhëhequra nga ish-qendrat komuniste të organizuara përmes komiteteve komunale, që binin ndesh me synimet dhe idealet e lëvizjes së mirëfilltë kombëtare për çlirim nga pushtimi sllav.
Vite më vonë vëllezërit Salihu, punuan si profesorë në shkollën e mesme “Vëllezërit Frashëri” – gjimnazi në Deçan. Më 1 maj të vitit 1990, do ta drejtojë tubimin te Verrat e Llukës, ku kishte më se 500 mijë të pranishëm nga të gjitha trevat shqiptare, ku do të arriheshin 106 pajtime: 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.
Në fund të atij viti e arrestojnë dhe e torturojnë tmerrësisht, barbarisht. Por, asgjë nuk përfundon me kaq; ndjekja e tij do të vazhdojë edhe më tutje, në çdo hap, deri aty sa edhe ta detyrojnë që të marrë rrugën e mërgimit.
Veprimtaria e tij politike, në kuadër të ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës, vetëm se do të shënojë ngritje dhe do të marrë dimensione të reja, të shumanshme.
Duke qenë paraprakisht në hierarkinë më të lartë drejtuese të saj, me nismën e tij në vitin 1993 do të formohet Fondi “Vendlindja thërret”, i cili fillim e mbarim ka qenë në funksion të formimit të vetëfinancimit të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga ky vit, pra që nga koha e themelimit, Jashar Salihu ka qenë kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”.
Në sensibilizimin e opinionit perëndimor me të vërtetën për luftën e drejtë të Kosovës kundër forcave kriminale të Slobodan Millosheviqit, roli i Jasharit është i pazëvendësueshëm, dhe, rrjedhimisht, po dëshmohej se jo rastësisht ishte në kuadër të Drejtorisë Politike të UÇK-së.
Ai ishte anëtar i Grupit për Marrëdhënie me Jashtë, ndërkaq që më vonë do të jetë përfaqësuesi i parë diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, në Zvicër.
“Shqiptarët e Kosovës janë evropianë dhe nuk kanë lidhje me vendet islamike. Ata janë të vendosur të luftojnë deri në fund”, i ka deklaruar Jashar Salihu gazetës amerikane “The Christian Science Monitor”, të datës 16 prill 1998, duke mbrojtur kështu dhe përhapur të vërtetën për shqiptarët dhe vlerat civilizuese perëndimore të luftës së UÇK-së, njëkohësisht duke demantuar propagandën antishqiptare të regjimit kriminal të Millosheviqit dhe satelitëve të tij.
Jashar Salihu u lind në fshatin Batushë më 10 shkurt 1953. Shkollimin fillore e kreu në fshatin Molliq, ndërsa atë të mesëm në Gjakovë. Fakultetin e mbaroi në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik, ku studioi gjuhën angleze.
Vdiq më 16 dhjetor të vitit 2000, në spitalin kantonal të Aaraut në Zvicër.