Veseli ua ka dorëzuar sot ish-luftëtarëve të UÇK-së draftligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës

Veseli ua ka dorëzuar sot ish-luftëtarëve të UÇK-së draftligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilëve u ka dorëzuar draftligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Draftligji, i hartuar nga kryeparlamentari Veseli dhe stafi i tij, garanton mbrojtje institucionale për vlerat e luftës së UÇK-së dhe parasheh reagim të shtetit në raste të arrestimeve me urdhër-arreste politike.

Nëpërmjet këtij draftligji, po ashtu përcaktohet dita nacionale për përkujtim të luftës çlirimtare, si dhe parashihet ndërtimi i monumentit qendror të luftës për çlirim dhe i Muzeut të Luftës.

Pasi u dorëzoi përfaqësuesve të shoqatave të luftës draftin e këtij ligji, kryparlamentari Veseli tha se edhe pse i vonuar, ligji u bën nder institucioneve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht mbron vlerat e shenjta të lirisë sonë, luftën çlirimtare dhe pjesëtarët e saj.

“Duke ju drejtuar juve, iu drejtohem të gjithë bashkëluftëtarëve. Është një ligj i vonuar, ndërsa do të duhej të ishte ligji i parë, i cili do t’i bënte nder Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është diçka që populli ynë e ndjen dhe e mbron, që e ka lindur, rritur dhe zhvilluar, ndërsa tani në kohën e paqes e ruan me krenari. Është projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës sonë të shenjtë, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se shoqatat e luftës e kanë mundësinë të japin vërejtjet dhe propozimet e tyre në përmbajtjen e këtij draftligji, i cili më pas, pa ndonjë vonesë, do të procedohet në Kuvend konform procedurave parlamentare.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Ngucati, shfaqi shpresën se ky ligj do të jetë në favor ish-luftëtarëve të lirisë dhe se si i tillë, do të merr mbështetje njëzëri nga Kuvendi i Republikës së Kosovës./21Media