250 euro për nënat që lindin në Suharekë, si erdhi deri te ky vendim?

Për çdo lindje gratë marrin nga 250 euro

Iniciativa e nisur muaj më parë nga kreu i Suharekës, Bali Muharremaj për t’iu dhënë mjete financiare grave/nënave që lindin në këtë komunë, sot u jetësua. Me 21 vota pro, pesë abstenime dhe asnjë votë kundër, sot është marrë vendimi, me të cilin nënat që lindin në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare përfitojnë nga 250 euro për çdo lindje.

Menaxheri i zyrës për informim në komunën e Suharekës, Reshat Reshitaj ka thënë për portalin rtv21.tv se kjo iniciativë është bërë me qëllim që të kthehet besimi te institucionet shëndetësore në Suharekë.

“Iniciativa e tillë është nisur, pasi më herët lindjet nuk janë bërë në QKMF-në e Suharekës edhe përkundër të gjitha mundësive që janë (gjinekologu, motrat, aparaturat), por gratë kanë hezituar të lindin me arsyetimin se në Prizren është më mirë dhe më sigurt”, ka bërë të ditur Reshitaj dhe ka shtuar se në këto qendra ka pasur numër të vogël të lindjeve (diku rreth 40 lindje brenda vitit të kaluar).

Siç bën të ditur Reshitaj, nuk është planifikuar ende buxheti për ndarjen e mjeteve financiare, pasi që është viti i parë. Megjithatë, ai ka thënë se Drejtoria e Shëndetësisë e komunës së Suharekës ka rreth 60 mijë euro subvencione dhe nga ato do të ndahen mjete, për aq sa do të ketë kërkesa.

Suhareka bëhet komuna e parë në Kosovë që ndërmerr një hap të tillë./21Media

 

Back to top button