Mesazhe politike në Ditën e Evropës

Timonie ka thënë se për Bashkimin Evropian është me rëndësi që Maqedonia të kthehet në rrugën evropiane

“Në marrjen e vendimeve ne duhet të udhëhiqemi nga mësimet e historisë sonë dhe nga udhëheqësit tanë vizionarë”, u shpreh Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së në Maqedoni.

Këtë porosi  Zhbogar e dha me rastin e Ditës së Evropës, duke e ndërlidhur situatën aktuale në Maqedoni.

Ai tha se vendet anëtare, por edhe ato aspirantë në BE ndodhen përballë shumë sfidave, por edhe zgjedhjeve, shkruan TV21.TV

“Jetojmë në një kohë të ndryshimeve dhe sfidave. Secili prej shteteve tona anëtare, vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor si anëtarë të ardhshëm duhet të bëjnë një zgjidhje si të ballafaqohen me këto ndryshime dhe sfida, si të merren me to nga brenda dhe si të merren me to si grup, familje apo union”, tha Zhbogar.

Ambasadori francez, Kristian Timonie tha se për Bashkimin Evropian është me rëndësi që Maqedonia të kthehet në rrugën evropiane. Sipas tij, vendimi për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë është në duart e presidentit Gjorgje Ivanov dhe se ai është burrështetas përgjegjës që do të veprojë ashtu siç duhet.

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Arbër Ademi tha se është koha që t’i japim fund këtij rrethit vicioz të krizës dhe vendi të orientohet në drejtimin e duhur, atë drejt Bashkimit Evropian.

“Republika e Maqedonisë së bashku me vendet e rajonit i takon Bashkimit Evropian dhe të gjithë duhet të punojmë së bashku drejt këtij qëllimi. Pa marrë parasysh peshën e sfidave me të cilat përballemi për Maqedoninë, integrimet në BE janë prioritet strategjik dhe nuk ka alternativë tjetër“, tha Arbër Ademi, Zëvendëskryeministër për çështje Evropiane.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, Delegacioni i BE-së në Shkup në partneritet me shumë organizata, ambasada dhe komuna organizon mbi 30 ngjarje në mbarë vendin me anë të të cilave synon të afrojë procesin e eurointegrimeve sa më afër qytetarëve./21Media

 

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button