31 dështime për konstituimin e Kuvendit

(Lajm i përditësuar)
Abrashi: Plani i LDK-së nuk do ta ketë miratimin e LVV-së
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka deklaruar se ai që quhet plan i LDK-së, nuk është serioz dhe nuk do ta ketë miratimin e tyre, pasi ka disa vështirësi të patejkalueshme logjike për t’i kuptuar.
Abrashi pas dështimi të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se partitë tjera po vazhdojnë me qasjen bllokuese të institucioneve të Kosovës.
“Po e kemi diskutuar atë që quhet plan dhe në debatet që kemi pasur kemi arrit në një përfundim që ai propozim ka disa vështirësi të patejkalueshme logjike për t’i kuptuar. Si mund të pres Abdixhiku që ne si LVV mund të pajtohemi për 15 gjëra kaq të mëdha e ndërkohë nuk po kemi pajtueshmëri edhe për gjënë më të vogël, që është komisioni për votim të fshehtë , kjo është një absurditet i llojit të vet….. Nuk e kuptojmë ne arsyen e një lloj qeveri të unitetit, zakonisht propozime të tilla për qeveri të unitetit, bëhen në situata të jashtëzakonshme, kur ka ndonjë rrezik të madh për vendin tonë…. ai plan nuk është serioz dhe nuk do ta ketë miratimin e tyre”, tha ai.
Sipas tij, LVV po pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me procedurën e votimit dhe pas atij vendimi do të krijohen kushte për të dal nga kjo situatë.
Ai tha se po presin që brenda dy javëve të ketë diçka, pasi zgjidhja e vetme është votimi i emrit të LVV-së.
Abrashi tha se shumë shpejt do të kuptohet se krejt kjo zvarritje ka pas qëllim të dëmtohet LVV-ja, por se këtu po dëmtohet Kosova.
Haxhiu për Qeverinë e Unitetit: Nuk e kam të qartë saktësisht çfarë po kërkon LDK-ja
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila është edhe kandidate e partisë së saj për kryeparlamentare, tha se s’është përgjegjësi “vetëm” e Vetëvendosjes që të konstituojë Kuvendin e Kosovës.
“Nuk varet vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Jemi përgjegjës sa janë edhe deputetët tjerë të partive tjera. Pra, 120 deputetë e Kuvendit duhet të japin kontributin që Kuvendi të konstituohet”, tha ajo pas dështimit të 31-të.
E pyetur për planin e LDK-së për qeveri gjithëpërfshirëse, Haxhiu, sikurse bashkëpartiakët, e saj u përgjigj, duke thënë se nuk e ka lexuar.
“Nuk kam pasë mundësinë që ta lexoj këtë plan, por ajo që është e rëndësishme është absurde që të propozosh që të mblidhemi për të diskutuar për 15 pikat kur ne s’po mund të merremi vesh për konstituimin e Kuvendit. Ka një rend të gjërave këtu: së pari të konstituohet Kuvendi, pra duhet të ketë unitet për ta konstituuar Kuvendi dhe pastaj të flasim për çështje të tjera. Në këtë drejtim, e dini që Vetëvendosje ka qenë e hapur që LDK të jetë partnere në Qeverinë Kurti III, por kjo është refuzuar. Ata po kërkojnë qeveri të unitetit dhe unë s’e kam të qartë saktësisht çfarë po kërkojnë. Po kërkojnë që të gjitha partitë të jenë në qeveri bashkë? A duhet Kuvendi i Kosovës të ketë opozitë? Demokracia e kërkon që të ketë qeveri dhe opozitë. S’e kuptoj qasjen e LDK-së dhe insistimin që me domosdo ta ketë PDK-në në koalicion”, tha Haxhiu.
Hyseni: Plani i LDK-së alternativë e mirë për daljen nga kriza
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni pas dështimit të seancës, tha se kriza po vazhdon me Kuvendin jofunksional dhe Qeverinë palegjitimitet, e për këtë arsye ata si parti kanë dhënë planin 15 pikësh, në mënyrë që të formohen institucionet dhe t’i përgjigjet të gjitha problemeve me të cilat ballafaqohet vendi ynë.
Hyseni pas dështimit të seancës së sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se sot me propozimin e LVV-së kishim vetëm 47 vota për ose numrin më të vogël pas këtyre zgjedhjeve.
“Kishim vetëm 47 deputetë për, numri më i vogël pas këtyre zgjedhjeve, prandaj kemi një Kuvendi jofunksional, një qeveri pa legjitimitet, ndërkohë nuk ka asnjë lëvizje që të dilet nga kjo krizë, që është bllokadë institucionale. Si LDK ne e shohim me shqetësim situatën politike në të cilën jemi, prandaj kemi dal edhe me propozimin tonë që është prezantuar nga kryetari që është një alternativë që e vlerësojmë që është shumë e mirë për daljen nga kjo krizë dhe njëkohësisht t’i jep përgjigje të gjitha atyre problemeve që sot Kosova ballafaqohet”, tha ai.
Sipas tij, plani i LDK-së, është ftesë për partitë politike që të reflektojnë dhe dilet nga kjo krizë, pasi nuk ka pas asnjë iniciativë tjetër deri thash.
“Këto 15 pika do të kenë implsakt edhe në jetën sociale të njerëzve, të cilët vërtet ballafaqohen me vështirësi të mëdha, duke u nis nga rritja e çmimeve të produkteve bazë, çmimeve të energjisë elektrike e deri te politika e jashtme, në të vërtet mendoj që çalojmë shumë dhe këto katër vite kemi pasi një regres jashtëzakonisht të madh”, tha Hyseni. /kp
Çitaku: S’ka definicion në gjuhën shqipe për të përshkruar absurditetin e situatës që ndodhemi
Çitaku tha se nuk ka fjalë shqip që përshkruan absurditetin e situatës së krijuar.
“Fatkeqësisht mungon definicioni në gjuhën shqipe për të përshkruar absurditetin e situatës në të cilën ndodhemi. Kemi pa tash e disa muaj një shpërfaqje të shkallës së lartë të papërgjegjësisë dhe mungesës së ndjeshmërisë në raport me qytetarin”, deklaroi ajo.
Kuvendi nuk konstituohet as për 31–tën herë
Kuvendi i Kosovës as për tentimit e 31-të nuk ka arritur të konstituohet.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari edhe këtë seancë e nisi me kërkesën për kromimin e komisionit për votimin ne fshehtë, por Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë refuzuar të japin emrat, me arsyetimin se ka shkelje të rregullores, pasi seanca ka nis me votim të hapur dhe po tentohet të vazhdohet me votim të fshehtë.
Dehari hedhin ë votim formimin e këtij komisioni, pa emrat e partive, por nuk mori votat e mjaftueshme.
“Për kanë votuar 47 deputetë, kundër dhe apstenim nuk ka. Nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës, ndërpritet seanca dhe shihemi me 15 qershor, në orën 11:00“, tha ai.
Tridhjetë episodet e deritanishme të telenovelës që do të mbahet mend gjatë, kanë dështuar në mungesë të votave të Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo e Alternativa për kryetar të ri të Kuvendit, raporton KosovaPress.
Albulena Haxhiu gjashtë herë ‘ka rënë nga provimi’ direkt me vota të hapura dhe më shumë se njëzet herë ka dështuar formimi i komisionit për mbikëqyrjen e procesit të fshehtë të votimit, të cilin po e kundërshtojnë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA.
Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar për interpretim në Kushtetuese mënyrën e fshehtë të votimit për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.
Vazhdimi i seancës konstituive duhet të mbahet çdo dyzetetetë orë derisa të konfirmohet përbërja e re e Kuvendit.
Filloi seanca e 31-të për konstituimin e Kuvendit
Ka nisur seanca e 31-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
Kjo seancë është duke u drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari. /21Media
Limaj: Askush nuk i ka votat e NISMËS pa marrëveshje politike
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka thënë se LVV-ja nuk do t`i ketë votat nga NISMA, përveç marrëveshjeve politike.
Limaj për konstituim të Kuvendit thotë se pa marrëveshje politike nuk do të ketë ndonjë zgjidhje.
“Jo si ka askush votat e NISMËS, përveç marrëveshjeve politike, përmes marrëveshjes politike ndërtohen edhe numrat edhe shumica parlamentare, pa marrëveshje politike natyrisht që nuk mund të ketë ndonjë zgjidhje dhe prandaj që duhet të ketë shpejtë marrëveshje politike”, tha Limaj para fillimit të seancës.
Limaj: Kosova çdo ditë po humb miliona në aspektin ekonomik, përveç problemeve tjera politike
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj lidhur me konstituminin e Kuvendit, ai ka thënë se me këtë rast Kosova është duke humbur shumë.
Sipas tij Kosova humbë miliona çdo ditë aspektin ekonomik përveç problemeve politike dhe ekonomike.
“Në këtë vend Kosova është duke humbur shumë, nuk e di sa janë të vetëdijshëm, me miliona Kosova çdo ditë i humbë në aspektin ekonomik përveç problemeve tjera politike, ekonomike”, tha Limaj para gazetarëve. /21Media
Brahimaj: Nuk shoh ndonjë zgjidhje për qeveri të unitetit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj tha nuk e sheh zgjidhje një qeveri të unitetit – që është propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Para vazhdimit të seancës konstituive, ai tha se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk ka pranuar zyrtarisht propozimin 15-pikësh për qeverinë e unitetit.
Ai u pyet rreth propozimit 15-pikësh që LDK-ja e paraqiti të enjten, më 12 qershor, për një qeveri të unitetit.
“Nuk i kam parë, dje ka qenë Dita e Çlirimit jemi marrë me aktivitetet e clrimit të vnedirt, shfrytëzoj rastin me ua uru ditën e çlirimit çdo qyteti, në veçanti familjeve të dëshmorëve, veteranëve, invalidëve. Për këto tema duhet me bisedu me liderët, nuk shoh ndonjë zgjedhje për qeveri të unitetit, ose të bën Vetëvendosje qeverinë qysh e ka mendu ose ta bëjë blloku opozitar…Lideri Haradinaj akoma nuk ka pranuar diçka zyrtare [për propozimin 15-pikësh], vetëm çka kemi parë në media”, tha ai.
Ai është pyetur edhe rreth angazhimit të asistentit, edhe pse Kuvendi është nuk është konstituuar.
“Për asistentët është e paraparë me rregullore, askush nuk ka menduar dhe pritur se do të hskojë 31 ditë. Nuk është faji te pesë deputetët e aleancës”, tha Brahimaj.
Deputetët mblidhen sot serish në përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ky është tentimi i 31-të që prej pesëmbëdhjetë prillit kur ka nisur seanca konstituive.
Zemaj: Nuk shihet që dikush tjetër edhe si i dytë mund të ketë një shumicë të konsiliduar për krijimin e Kuvendit dhe të Qeverisë
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj për konstituimit e Kuvendit, tha se nuk shihet një i dytë që mund të ketë një shumicë të konsiliduar e cila sipas tij do të mundësonte krijimin e kuvendit edhe të qeverisë.
“Ajo çfarë është parë nuk ka pasur ndonjë vullnet apo nuk shihet që dikush tjetër edhe si i dytë mund të ketë një shumicë të konsiliduar e cila do të mundësonte krijimin e kuvendit edhe të qeverisë”, tha Zemaj para mediave. /21Media
Sot përpjekja e 31-të e konstituimit të Kuvendit
Sot sërish do të mblidhen deputetët e Kuvendit të Kosovës në përpjekjen e radhës për konstituimin e legjislaturës së 9-të.
Derisa në disa seanca rresht, kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t`i marrë 61 votat e nevojshme, ka qenë Vetëvendosje e cila ka propozuar votim të fshehtë, me të cilin nuk janë pajtuar opozita.
Ndërkohë çdo përfundim të seancës përfaqësuesit e partive politike po hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim institucional.