Izraeli sulmon objektet bërthamore e ushtarake të Iranit, Teherani hakmerret me sulm me dronë

(Lajm i përditësuar)


Izraeli nis sulm tjetër në Iran

Një sulm i ri i Izraelit ka nisur në qytetin e Tabrizit, ka raportuar media shtetërore iraniane.

Raportohet se Aeroporti i Tabrizit “aktualisht është nën sulm të rëndë nga Izraeli”.

Media të tjera iraniane raportuan po ashtu për sulmin në Tabriz, transmetoi CNN.


Trump i kërkon Iranit të bëjë marrëveshje bërthamore, paralajmëron për sulme “më brutale” 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka kërkuar Iranit të arrijë një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor, duke thënë se i ka dhënë Teheranit “shans pas shansi”.

Bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit për një marrëveshje ishin gati të hynin në raundin e tyre të gjashtë të dielën.

“U thashë atyre, me fjalët më të forta, ‘thjesht ta bënin’, por pavarësisht sa shumë u përpoqën, pavarësisht sa afër iu afruan, ata thjesht nuk mundën ta bënin”, shkruan Trump në Truth Social.

“Ka pasur tashmë vdekje dhe shkatërrime të mëdha, por ka ende kohë që kjo masakër, me sulmet e ardhshme të planifikuara tashmë që do të jenë edhe më brutale, të marrë fund”, thotë ai.

“Irani duhet të bëjë një marrëveshje, përpara se të mos mbetet asgjë, dhe të shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane. Mjaft me vdekje, jo më me shkatërrim, THJESHT BËJE, PARA SE TË JETË SHUMË VONË.”

Trump më parë tha se ishte në dijeni të planeve të Izraelit përpara se ata të nisnin sulmet ajrore brenda natës, por e bëri të qartë se ushtria amerikane nuk luajti asnjë rol në operacion./21Media


 Netanyahu thotë se sulmet do të vazhdojnë ‘për aq ditë sa të duhen’

Në një deklaratë video të publikuar më parë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ka nisur Operacionin “Luani në Ngritje”, një operacion ushtarak i synuar për të zmbrapsur kërcënimin iranian ndaj “vetë mbijetesës së Izraelit”.

Ai tha se Izraeli kishte shënjestruar shkencëtarët iranianë “që punonin në bombën iraniane” dhe se sulmet “do të vazhdojnë për aq ditë sa duhen”./21Media


Çmimet globale të naftës shënojnë rritjet më të mëdha ditore në vite

Çmimet globale të naftës kanë pasur rritjet e tyre më të mëdha ditore në vite, duke reflektuar frikën se një konflikt më i gjerë në Lindjen e Mesme mund të çojë në ndërprerje serioze të furnizimit me energji.

Nafta e papërpunuar Brent, çmimi referues global, u rrit së fundmi me 4.3% në 72.4 dollarë për fuçi. Nafta referuese amerikane West Texas Intermediate u rrit me 5% në 71.4 dollarë për fuçi.

Raportohet se këto janë fitimet më të mëdha brenda ditës për secilin indeks referues që nga marsi 2022, një muaj pasi Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës.

Rritja e çmimit të naftës Brent ilustron “si shqetësimet e menjëhershme të furnizimit, ashtu edhe një ndjenjë në rritje se titujt negativë mund të zgjasin afatin kohor për përshkallëzim, ndryshe nga episodi i mëparshëm Izrael-Iran”, shkroi në një shënim kërkimor Ahmad Assiri, strateg kërkimi në Pepperstone, një firmë shërbimesh financiare.

Në tregun e aksioneve, kontratat me afat të caktuar për aksionet amerikane ranë, duke i shtyrë investitorët të tërhiqeshin drejt investimeve tradicionale të sigurta si ari. Kontratat me afat të caktuar për Dow ranë me 1.3%, ose mbi 540 pikë. Kontratat me afat të caktuar për S&P 500 dhe kontratat me afat të caktuar për Nasdaq Composite ranë edhe më shumë, me 1.4% dhe 1.6%, përkatësisht. Ndërkohë, ari u rrit me rreth 1%./21Media


Izraeli thotë se po “kap” dronë iranianë jashtë territorit të tij

Ushtria izraelite ka filluar të rrëzojë dronë nga Irani, sipas një zyrtari ushtarak.

“IDF ka filluar të kapë dronët e qëlluar nga Irani, jashtë territorit izraelit”, tha një zyrtar i IDF për CNN të premten.

Më parë, zëdhënësja e IDF-së, Effie Defrin, tha se Irani ka lëshuar më shumë se 100 dronë drejt territorit izraelit, në shenjat e para të hakmarrjes ndaj sulmeve të pashembullta të Izraelit ndaj Iranit./21Media


Izraelitët grumbullojnë ushqime dhe ujë ndërsa përgatiten për “hakmarrjen” e Iranit

Në Jerusalem, raftet e supermarketeve po shterohen me shpejtësi nga njerëzit që po furnizohen me ushqim dhe ujë.

Pjesa më e madhe e vendit u zgjua rreth orës 03:00 këtë mëngjes me një lështim të shkurtër sirenash dhe një alarm telefonik që paralajmëronte për një “kërcënim të rëndësishëm” – me njerëzit që u udhëzuan të qëndronin afër një strehe.

Shërbimet e emergjencës së Izraelit thonë se po mobilizojnë shërbimet e gjakut në të gjithë vendin, ndërsa disa spitale thonë se po lirojnë pacientët që janë mjaftueshëm mirë për të shkuar në shtëpi.

Në Bregun Perëndimor, një bllokim është vendosur në të gjitha qytetet palestineze deri në njoftim të mëtejshëm.

E gjithë kjo me paralajmërimin e ushtrisë izraelite se 100 dronë iranianë janë në rrugën e tyre drejt Izraelit.


Irani i kundërpërgjigjet Izraelit me 100 dronë

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Gjeneral Brigade Effie Defrin, tha se Irani nisi “rreth 100 dronë UAV drejt territorit izraelit”, të cilët ai thotë se po punojnë për të kapur.

Defrin shton se shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, komandanti i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) të Iranit dhe komandanti i komandës së emergjencës së Iranit u vranë në sulmet e natës së kaluar, transmeton portali rtv21.tv.

Mediat shtetërore iraniane raportuan gjithashtu më parë se Hossein Salami, shefi i Gardës Revolucionare, është vrarë.

Kujtojmë se në Izrael është shpallur gjendje e jashtëzakonshme./21Media


Izraeli i sulmon objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit

Izraeli ka kryer sulme në Iran mëngjesin e së premtes, duke thënë se ka goditur objektet bërthamore dhe ushtarake të tij, dhe duke paralajmëruar se sulmet do të vazhdojnë me qëllim për të mos e lejuar Teheranin të zhvillojë armë bërthamore.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”.

Ai tha se sulmi “do të vazhdojë derisa të eliminohet ky kërcënim”.

“Ne goditëm në zemër të programit të Iranit për pasurimin bërthamor. Në shënjestër ishin objekti kryesor i pasurimit të uraniumit i Iranit në Natanz… Gjithashtu goditëm në zemër të programit iranian të raketave balistike”, tha ai në një deklaratë me video.
Izraeli gjithashtu sulmoi shkencëtarë bërthamorë iranianë “që punonin për zhvillimin e bombës iraniane”, shtoi ai.

Një zyrtar izraelit tha se Izraeli goditi dhjetëra objekte në të gjithë Iranin, duke e rritur mundësinë e një lufte të përgjithshme mes dy vendeve.

Ndër vendet e goditura ishte dhe selia komanduese e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.

Objekti i pasurimit në Natanz u godit “disa herë”, raportoi televizioni shtetëror, duke treguar pamje me tym të dendur që ngrihej nga vendi.

Zona të banuara në Teheran dhe në disa qytete të tjera u goditën gjithashtu, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA, e cila raportoi se sulmet shkaktuan vdekjen e disa njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë, në një kompleks banimi në Teheran.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve.
“Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe do ta marrë atë pa dyshim”, tha Khamenei në një deklaratë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili vetëm disa orë para sulmeve kishte bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike të tensioneve, do të marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në mëngjesin e së premtes, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Izraeli ndërmori “veprim të njëanshëm kundër Iranit” dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë.

Izraeli kishte njoftuar Uashingtonin se besonte se sulmet ishin të nevojshme për vetëmbrojtje, tha Rubio në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa për t’i mbrojtur forcat e tyre dhe kanë mbajtur kontakt me partnerët në rajon, tha Rubio, duke paralajmëruar Iranin që të mos ua mësyjë interesave apo personelit amerikan.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, shpalli “gjendje të veçantë” në vend në pritje të një sulmi të mundshëm hakmarrës nga Irani.

“Pas sulmit parandalues nga Shteti i Izraelit kundër Iranit, pritet në një afat të menjëhershëm një sulm me raketa dhe UAV (dronë) kundër Shtetit të Izraelit dhe popullatës së tij civile”, tha Katz në një deklaratë.

Kompania ajrore izraelite, El Al, njoftoi se ka pezulluar të gjitha fluturimet për dhe nga Izraeli, ndërsa media shtetërore iraniane raportoi se Irani ka mbyllur hapësirën ajrore deri në një njoftim të radhës. Edhe Iraku mbylli hapësirën e tij ajrore dhe pezulloi fluturimet në të gjitha aeroportet, sipas mediave shtetërore.

Back to top button