318 raste aktive me COVID-19

Në Kosovë aktualisht janë 318 raste aktive me koronavirus. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se katër persona kanë rezultuar pozitive me COVID-19.

Sipas të dhënave të fundit të IKShPK-së tetë qytetarë janë shëruar nga COVID-19.
Për shkak të paraqitjes së variantit të ri Omicron, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja, të cilat hyjnë në fuqi nga sot.
Maska mbetet obligative, me përjashtim të rasteve kur je duke drejtuar veturën i vetëm apo ke anëtarë të familjes në veturë, gjatë vrapimit e ushtrime fizike apo gjatë ngrënies apo pijes.
Në një nga masat thuhet se në transportin publik, stafi dhe pasagjerët duhet të posedojnë një nga dëshmitë për COVID-19 në mënyrë që të lejohen të udhëtojnë.
Ndalohet hyrja pa maskë në ambiente të mbyllura.
Kufizimi i qarkullimit vazhdon të jetë nga ora 00:00 deri në ora 5 të mëngjesit. Me përjashtim të rasteve të caktuara.
Po ashtu gjithë përfituesit nga skemat sociale e pensionale janë të liruar nga paraqitja e rregullt.
Ndërkohë janë ndaluar veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare e shoqërore.
Gastronomia lejohet deri 50 për qind të kapacitetit në hapësira të mbyllura e deri 70 për qind në të hapura. Shërbimet e gastronomisë lejohen nga ora 5 deri në orën 23:00, ndërsa muzika lejohet deri në orën 21:30.
Në taksi lejohet të udhëtohet vetëm me dy udhëtarë.
Varianti i koronavirusit, Omicron për herë të parë është indetifikuar në Afrikën e Jugut më 23 nëntor të vitit 2021. Ndërsa më 28 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se e kishte klasifikuar këtë variant si “shqetësues” për shkak të disa mutacioneve dhe mënyrës se si ato mund të kenë ndikim në sjelljen e virusit, si për shembull se sa shpejt mund të shpërndahet apo shkallën e sëmundjes që shkakton.
Përveçse në Afrikën e Jugut, varianti është identifikuar edhe nëpër shumë vende të tjera, për çka shumë shtete si Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime në udhëtime./21Media

Back to top button