330 mijë euro që nxënësit të mësojnë skijim

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot ka ndarë 330 mijë euro për trajnimin e 400 nxënësve në sportin e skijimit.
Me këtë rast është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi ndërmjet MKRS-së, MASHTI-it, MSH-së, Universitetit të Prishtinës dhe Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, i cili parasheh përfshirjen e rreth 400 nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në projekt të edukimit jo-formal në sportet malore, specifikisht skijimit.
Për realizimin e aktiviteteve sportive-edukative, përmes së cilave promovohen benefitet e aktivitetit fizik dhe kapacitetet e Republikës së Kosovës për zhvillimin e sporteve malore.
Obligim i MASHTI-t do të jetë përzgjedhja e nxënësve dhe stafit përcjellës të tyre. Ministria e Shëndetësisë sipas memorandumit do të sigurojë stafin mjekësor dhe mjetet përcjellëse.
Ndërsa, Universiteti i Prishtinës do të bëjë trajnimin e nxënësve në sportin e skijimit nëpërmjet stafit profesional, të cilin do ta sigurojë. Ndërkaq, FSSHK-ja obligohet për mbarëvajtjen e organizimit dhe kryerjen e shpenzimeve të realizimit të këtij projekti.
Memorandumi përfshin mbështetjen e aktiviteteve në harkun kohor njëvjeçar, përkatësisht në vitet 2021 dhe 2022, ndërsa qëllimi është zhvillimi, avancimi dhe masovizimi i sportit në vendin tonë.

Back to top button