36 viktima nga COVID-19, Krasniqi: Qeveria t’i përgjigjet menjëherë kësaj gjendje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ngushëlluar familjet e viktimave të COVID-19.
Ai ka thënë se është vështirë të gjenden fjalë për t’ua lehtësuar dhimbjen e madhe që kanë familjet për këto humbje tragjike.
Krasniqi ka theksuar se kësaj gjendjeje tejet të vështirë, Qeveria duhet t’i përgjigjet menjëherë me një qasje krejtësisht tjetër, me një plan konkret, me seriozitet dhe angazhim maksimal.
“Një tjetër ditë tragjike për Kosovën. Dhimbja nga humbjet e jetëve në betejë me Covid-19 sot u rëndua edhe më 36 humbje jetësh të tjera.
Me ditë të tëra, po na ndalë frymën kjo gjendje tmerruese, me shifra alarmante, ku humbja e jetës së qytetarëve nga virusi tashmë, për fat të keq, nga Qeveria po trajtohet vetëm si numër. Ngushëllime të gjitha familjeve që mbetën pa më të dashurit e tyre. Është vështirë të gjenden fjalë për t’ua lehtësuar dhimbjen e madhe që kanë për këto humbje tragjike. Nuk kemi betejë politike për pandeminë. Por, kësaj gjendjeje tejet të vështirë është e domosdoshme që Qeveria t’i përgjigjet menjëherë me një qasje krejtësisht tjetër, me një plan konkret, me seriozitet dhe angazhim maksimal, në mënyrë që të ndalet ky hov i kobshëm i pandemisë. Është e papranueshme që të vazhdojë edhe më tej kjo papërgjegjësi”, ka shkruar Krasniqi në Facebook./21Media

Back to top button