Veseli: Me Fillimin e ri do ta fuqizojmë shtetin

Veseli tha se Fillimi i Ri ka fokus edhe zhvillimin ekonomik

Për t’i dhënë kuptim shtetësisë dhe lirisë tani është koha e zhvillimit ekonomik, koncept ky i Fillimit të Ri. Kështu tha sot kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë shpalosjes së platformës “Fillimi i Ri”, me qytetarë në Skenderaj, të cilëve u kërkoi mbështetje në mënyrë që më 11 qershor të shënohet fitore bindëse, derisa shprehu besimin se në Drenicë do të fitojnë 90 përqind të votave.

Kreu i PDK-së tha se me qeverisjes e PDK-së Kosova ka ndërruar plotësisht, por tani është koha për konceptin e Fillimit të Ri, i cili ka në fokus përkrahjen e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik. Për më tepër kreu i PDK-së theksoi se do të rritet buxheti për bujqësinë, derisa përkrahja për ndërmarrësit do të jetë e pa rezervë në fuqizimin e bizneseve të tyre dhe rritjen e të punësuarve.

Veseli po ashtu përsëriti rritjen e pensioneve për pensionistët, përkrahjen e të rinjve, fuqizimin e grave, pasi sipas tij, ky është koncepti i Fillimit të Ri. Madje, sipas Veselit kur Azem Bejta u ka dhënë përparësi grave, pse ata mos t’iu japin.

Nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi para qytetarëve të Skenderajt tha se po iu mungon Sami Lushtaku, Sylejman Selimi dhe shumë tjerë që janë mësuar t’i presin, por sipas tij, fryma dhe lufta e tyre janë me ta.

Kandidati  i PDK-së për deputet, Mërgim Lushtaku, djali i kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku, konfirmoi mbështetjen për kreun e PDK-së, Kadri Veseli, ashtu siç e ka pasur paraardhësi i tij, Hashim Thaçi.

PDK në zgjedhjet e 11 qershorit është në koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt, Nismën për Kosovën të Fatmir Limajt dhe disa parti të vogla.

Back to top button