KEDS përuron biblioteka në dy shkolla fillore

Viktor Buzhala tha se arsyeja e aksionit është se gjendja e lexueshmërisë dhe bibliotekave anekënd Kosovës është e rëndë

Me rastin e 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, drejtori i shërbimeve të KEDS, Zafer Yilmaz ka përuruar dy biblioteka në shkollat fillore në Reznik të Vushtrrisë dhe në shkollën fillor “Drenica”, në Morinë të Skenderajt.

Yilmaz ka falënderuar të gjithë punëtorët e KEDS-it që kanë kontribuar në krijimin e këtyre dy bibliotekave. “Dua të falënderoj të gjithë punëtorët e KEDS-it dhe KESCO-s që në një kohë shumë të shkurtër kanë arritur të grumbullojnë më shumë se 1 mijë libra për dy shkollat që kemi krijuar dy biblioteka. Dua të themi ju lutem pranoni këtë dhuratë nga vëllezërit dhe motrat tuaja. Ju jeni e ardhmja e Kosovës”, ka thënë Yilmaz.

Drejtori i shkollës fillore të Reznikut, fshat ky në komunën e Vushtrrisë, Faruk Selimi ka falënderuar KEDS-in për hapjen e kësaj biblioteke në shkollën e tyre, dhe ka ndarë mirënjohje për drejtorin e Shërbimeve të KEDS. “Iu falënderoj për kontributin e dhënë për shkollën ‘Reznik’  për hapjen e bibliotekës si dhe për titujt e librave shkollorë. Jam i nderuar që sot po bëjmë hapjen e bibliotekës, ku 1 qershori është edhe një ditë e veçantë e abetares ku nxënësit tanë kanë përmbyllur një kapitull të rëndësishëm, dhe hapja e bibliotekës korrespodon po me datë ku nxënësit kanë mundësi të vazhdojnë rrugën e diturisë”, tha Selimi.

Ndërkaq zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë se kanë zgjedhur këto dy shkolla për t’i pajisur me libra për shkak se nuk kanë pasur fare kënd të leximit.

“Arsyeja e aksionit vullnetar e punëtorëve të KEDS-it nën organizimin e KEDS-it si kompani është për arsye se gjendja e lexueshmërisë dhe bibliotekave anekënd Kosovës mjaftë e rëndë. Ne kemi zgjedhur këto dy shkolla ku nuk kanë ekzistuar këndet e leximit fare. Punëtorët e KEDS-it për një javë kanë dhuruar më tepër se 1 mijë libra  të cilat janë shpërndarë në këto dy shkolla. Ne kemi organizuar këtë aksion vullnetar për të treguar qëllimin e vetëm që ti tregojmë se përmes vullnetit njerëzor  mund të ofrohet nxënësi me librin”,tha Buzhala.

Buzhala tha se para disa jave  kanë bërë renovimin të një pjese të shkollës “Fan Noli”, në Kamenicë  si dhe kanë hapur 7 kabinete të informatikës në disa shkolla të Kosovës.

Për nder të 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve dhe hapjes së bibliotekave nxënësit e këtyre dy shkollave kanë organizuar program festiv.

Back to top button