46 ankesa dorëzohen në PZAP

Gjatë 24 orëve, 46 ankesa janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor të Ankesave dhe Parashtesave me pretendimet se ka pasur parregullsi në procesin zgjedhor.
Nga PZAP njoftojnë se ankesat janë paraqitur nga individ, subjekte politike dhe kandidatë për anëtarë të kuvendeve komunale.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, nga ora 19:00 datë 17.10.2021, deri në ora 19:00 datë 18.10.2021, në aftin prej njëzetekatër (24) orëve nga mbyllje e Qendrave te Votimit ka pranuar 46 ankesa, me pretendimet se ka pasur parregullsi në ditën e votimit. Ankesat janë paraqitur nga individ, subjekte politike, kandidatë për anëtar të Kuvendeve Komunale, të cilat do të shqyrtohen dhe vendosen nga PZAP-i brenda afatit ligjor prej 72 orëve”, thuhet në njoftim.
Ankesat kanë të bëjnë me thyerje të heshtjes zgjedhore, thirrje për të votuar përmes SMS-ve, përmes rrjeteve sociale, shpërndarje e videove dhe fotove me përmbajtje elektorale, ankesa për shkak të mungesës së votave, parregullsi në vendvotime, parregullsi gjatë numërimit të votave nga ana e KVV-ve, grumbullimi i njerëzve si presion ndaj votuesve për të votuar subjektin e caktuar politik, fletëvotime të pavulosura e të tjera./21Media

Back to top button