5 të vdekur dhe 112 raste të reja me Covid-19 në Shqipëri

 

Këtë të premte në Shqipëri u regjistruan edhe pesë viktima të tjera nga koronavirusi.

Mes të vdekurve, janë edhe një 49-vjeçar nga Peqini dhe një 52-vjeçar nga Durrësi.

Ata kanë moshën më të re mes viktimave të tjera. Numri total i pacientëve që kanë humbur jetën ka shkuar në 271.

“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 49 vjeçar nga Peqini, një 52 vjeçar nga Durrësi, një 72 vjecare nga Fieri, një 81 vjeçare dhe një 82 vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese, i shprehim ngushëllimet familjarëve.”

Në 24 orët e fundit, janë testuar 801 persona, nga të cilët 112 kanë dalë pozitivë. Tirana ka numrin më të lartë të të infektuarve ditorë, 71 të tillë.

Në spitalet COVID vijon të ketë shtim të personave të shtruar. Atje janë 173 pacientë që kanë nevojë për kujdes mjekësor, nga të cilët 18 janë në terapi intensive, ndërsa tetë janë të intubuar.

Nevojë për trajtim mjekësor kanë edhe 42 qytetarë që kanë mposhtur sëmundjen, por po vuajnë pasojat e saj. Gjithsej, Shqipëria numëron 9.195 raste pozitive me koronavirus. Kurse të shëruar janë 4.923./vizionplus

Back to top button