Vrasja e 41-vjeçarit nga vjehrri, arrestohet bashkëshortja e viktimës
Policia e Tiranës ka arrestuar Dhurata Saliajn, gruan e 41-vjeçarit Kudret Saliaj, i ekzekutuar ditën e premte.
Sipas policisë, Dhurata Saliaj ka luajtur rolin e bashkëpunëtores në vrasjen e bashkëshortit të saj.
Çifti ishte në proces divorci në Gjykatën e Tiranës. Procesi i divorcit i nisur prej muajit dhjetor të vitit 2020, në Gjykatën e Tiranës mes çiftit Saliaj ka përfunduar tragjikisht këtë të premte në zonën e ish-Ekspozitës në kryeqytet.
Vetëm 10 minuta përpara seancës së radhës, Kudret Saliaj është ekzekutuar nga vjehrri i tij, Mexhit Picari që e ka qëlluar 41-vjeçarin me 8 plumba.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një bar kafeje pranë Gjykatës së Tiranës, ku Kudret Saliaj në momentin kur është qëlluar ka qenë nën shoqërinë e avokatit, Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur.
Ndërkohë pak orë me parë, Policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e krimit në lumin Lana.