7 kërkesat e komunave për Qeverinë

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, ka paraqitur para kryeministrit Kurti kërkesat dhe qëndrimet e komunave të Kosovës.

Aliu i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të hyrat vetjake dhe fondet e pashpenzuara t’iu barten komunave, pasi sipas tij, kjo është në përputhje me ligjet.

Aliu të hënën në takimin me kryeministrin Kurti, deklaroi se projektet e komunës i kanë paraqitur si bartje buxhetore, derisa përmendi edhe mungesën e pronave komunale si sfidë të institucioneve lokale.

Këto janë kërkesat dhe qëndrimet:

1. Kundërshtimi për bartjen e përgjegjësisë së faljes së Tatimit në Pronë tek Komunat, sepse kjo cenon të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në komuna.
2. Urgjentisht të barten mjetet e të hyrave vetanake në komuna, për momentin të pezulluara.
3. Të themelohet Granti i IV që do të krijoj barazi financiare për Komunat e Kosovës.
4. Kërkojmë përshpejtimin e nxjerrjes së akteve nënligjore (në bazë të Ligjit të ri për Zyrtarët Publik) që rregullojnë procedurat e rekrutimit në komuna, me theks lejimin e listës pritëse në arsim dhe shëndetësisë.
5. Komunave t’u kthehen pronat nga AKP-ja, prona këto që janë përcaktuar dhe të shpallura nga komunat per interes publik e për të cilat komunat i kanë nisur procedurat e projekteve dhe kanë njoftuar me shkrim nivelin qendror.
6. Të krijohen mekanizma ligjor për bartjen e pronave të menaxhuara nga Agjencia e Pyjeve për zhvillim të projekteve si dhe në raste të tjera të ketë shmangie të procedurave burokratike për dhënien e lejeve për zhvillim të projekteve komunale.
7. Të mos lejohet që Zonat Ekonomike në komuna të kalojnë në përgjegjësi të nivelit qendror por të vazhdojnë të administrohen nga Komunat.

 

Back to top button