70 për qind e të rriturve në BE janë imunizuar me dozë të parë

Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, ka bërë të ditur se 70 për qind e të rriturve në Bashkimin Evropian kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, teksa 57 për qind prej tyre janë imunizuar plotësisht.
Sipas saj, blloku i ka mbajtur fjalët e veta.
Bashkimi Evropian e kishte caktuar fundin e korrikut si afat për vaksinimin e 70 për qind të popullatës mbi tetëmbëdhjetë vjeç. Këto të dhëna e kanë vënë Bashkimin Evropian në mesin e liderëve botërorë të vaksinimit.
Duke folur në Bruksel, Von der Leyen e ka cilësuar si shumë të suksesshëm vaksinimin përbrenda vendeve të bllokut.

Ajo ka thënë se BE-ja duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe më tutje. Megjithëkëtë, ajo ka shtuar se varianti Delta i koronavirusit është shumë i rrezikshëm, prandaj ka bërë thirrje që të gjithë të vaksinohen për hir të shëndetit të tyre dhe të të tjerëve.
Back to top button