71 vjet burgim ndaj të akuzuarve për vrasjen e kushëririt

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve B. I., S. I., F. I., I. I., dhe I. I.(2), ndërsa të akuzuarin E. I. e ka liruar nga akuza.
“Me datë 02.05.2019, në ora 09:30 minuta, në fshatin Sadovinë e Qerkezëve të Komunës së Vitisë, të akuzuarit B. I., S. I. dhe F. I., me dashje në bashkëkryerje dhe për motive pasurore-pronësore kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M. I., në atë mënyrë që fillimisht shkojnë për të punuar në pronën kontestuese e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së tani të ndjerit, ku i ndjeri me familjarët e tij dalin që të bisedojnë me të akuzuarit për të arritur një marrëveshje, por të akuzuarit refuzojnë dhe më pas vazhdojnë me fyerje, duke eskaluar situata në konflikt fizik dhe me mjete të forta mprehëse si drunjë dhe shufra metalike e godasin tani të ndjerin në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, ku fillimisht i akuzuari S. I. e godet në pjesën e pasme të kokës, pas tij edhe i akuzuari F. I. godet pas kokës dhe në fund edhe i akuzuari B. I., godet 2-3 herë në këtë mënyrë”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, të akuzuarit B. I., S. I. dhe F. I. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave, dëgjimit të dëshmitarëve dhe shikimit të videove nga vendi i ngjarjes, të akuzuarve u ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje 21 vjet, për secilin veç e veç, të cilat dënime do të ekzekutohen pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Ndërkohë të akuzuarit I. I. dhe I. I.(2), për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” i ka shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje 4 vjet, për secilin veç e veç, të cilat dënime do të ekzekutohen pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Gjykata ka nxjerrë aktvendim, ndaj të akuzuarve B. I., S. I. dhe F. I., të cilëve u vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Të akuzuarve I. I. dhe I. I.(2), u është ndërprerë masa e paraburgimit./21Media

Back to top button