8 vjet burg për personin që shkaktoi aksidentin me 5 viktima në Ferizaj
Me tetë vjet burg u dënuar i pandehuri E. M i cili e shkaktoi aksidentin në rrugën Ferizaj -Shtime ku mbetën të vdekur 5 persona dhe dy të tjerë të lënduar.
“I pandehuri E.M., akuzohet për shkak se më datë 6 qershor 2021, në rrugën magjistrale Ferizaj – Shtime, me dashje eventuale shkel nenin 53 paragrafi 1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugorë, në atë rast se duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në kushtet e rrugës në vendbanim, si dhe duke mos respektuar rregullat e komunikacionit tejkalon në vij të plotë dhe kalon në shiritin e majtë rrugorë dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e tipit “Golf II” , me ç`rast në këtë aksident në vendin e ngjarjes ndërrojnë jetë katër (4) persona ndërsa një (1) person në QKUK në Prishtinë, gjithashtu dy të tjerë pësojnë lëndime”, thuhet në komunikatën e Gjykatës themelore në Ferizaj.
Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurin E.M., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tetë vjetësh në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Të pandehurit E.M., me aktvendim të veçantë i caktohet masa e paraburgimit.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?