86-vjeçarja ruan rekordin për belin më të hollë në botë

Në vitin 1999, në moshën 62-vjeçare, Cathie Jung nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mori titullin e personit me belin më të hollë. Rekordin vazhdon ta mbajë edhe sot, në moshën 86-vjeçare.

Me gjatësi prej 1.72 metrash, Jung ka bel prej vetëm 38.1 centimetrash kur bart korse dhe kur nuk mban, ka bel prej 53.34 centimetrash.

Cathie ishte 18-vjeçare kur për herë të parë vuri korse, por deri në të 30-at nuk vendosi ta bartte gjithnjë.

Fillimisht kishte bel prej 66.4 centimetrash, në kohën kur nisi ta zvogëlonte gradualisht me korse përgjatë viteve, duke përdorur një rrip ushtrimesh. Nuk ka bërë kurrë ndërhyrje estetike.

Cathie e bart korsenë për 23 orë në ditë dhe e largon vetëm për dush.

Nëna e tre fëmijëve, që s’mban dietë të caktuar, ka thënë se “s’ka pasur qëllim ta kapte rekordin e botës”.

“Nuk e kam pasur kurrë në mendje”, ka thënë ajo për webfaqen e Librit të Rekordeve “Guinness”.

Ajo ka thënë se e ka nisur bartjen e korsesë sepse i përshtatej stilit të saj.

Beli kaq i hollë nuk i pengon në frymëmarrje e as s’i ka shkaktuar telashe tjera shëndetësore. Këtë ia dedikon faktit që nisi ta zvogëlojë belin gradualisht. Sipas saj, bartje e korsesë është “e kundërta e shtatzënisë”.

Pas disa dekadash të zvogëlimit të belit, Cathie ka thënë se ka vendosur të ndalojë blerjen e korseve të reja. Megjithatë, ajo ngelet ndër fytyrat më të famshme të rekordeve, pasi mban titullin e pathyer që 25 vjet.

Vetë webfaqja e “Guinnessit” nuk e rekomandon zvogëlimin e belit./21Media

Back to top button