90 ditë paqe për Zaevin, nëse opozita nuk siguron shumicë!

 

Një ditë pasi mori votëbesimin e 62 deputetëve të shumicës, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, thotë se është i lumtur. Beson se kjo qeveri do të zgjasë 4 vjet, ndërsa thotë se do të punojë që shumica ta rritet edhe më shumë.

“Është bukur që shumica të jetë më e madhe se 62. Është më lehtë, por kështu na mban syçelë. Vazhdoj të punoj,  që të bashkëngjiten deputetë. Nëse ia arrijmë do të tregojmë menjëherë. Nëse jo, me 62 shumica është stabile”, tha kryeministri Zaev.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski thotë se kryeministrin gënjehet nëse kujton se ka blerë 90 ditë paqe. Kushtetuta vërtetë parasheh që në 3 muajt në vijim të mos mundet të ngritët mocion tjetër, por jo edhe në rast se mocion besimi parashtrojnë të paktën 61 deputetë. E nëse Zaev ka për qëllim të rrisë numrat në Kuvend, as opozitarja VMRO-DPMNE nuk ka hequr dorë nga krijimi i shumicës së re.

 “Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me deputetë të shumicës qeverisëse. Ajo që ndodhi dje ishte ‘ad-hoc’, kur do të jetë stabile ose kur do të kemi mundësi të bëjmë përpjekje shtesë do të informoheni, andaj nuk do të doja tani t’i ngre pritshmëritë e publikut në këtë moment”, theksoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

Po pikërisht votëbesimi i djeshëm dëshmoi se këto pretendime për shumicë të re janë shpifje, thotë deputeti i BDI-së Arbër Ademi, i cili pohon se shumica është konsistente ndërsa opozita e çorientuar

 “Dje ishte një veprim i nevojshëm e pse të mos themi edhe i domosdoshëm i kryeministrit, që duke shfrytëzuar atë që ia mundëson kushtetuta, që ti jepet fund këtyre të pavërtetave, shpifjeve në opinion se gjoja ekziston ndonjë shumicë e re parlamentare”, u shpreh Arbër Ademi nga BDI.

Pohimet e pushtetit dhe opozitës duhet të përfundojnë thotë shefi i grupit parlamentar i opozitës shqiptare Skender Rexhepi. Shton se deputetët e koalicioni Aleanca-Alternativa nuk janë në shitje!

 “Gjashtë muaj me radhë nga përfundimi i zgjedhjeve e deri më sot, në të gjitha mediat dëgjojmë vetëm një gjë: do të kalojnë nga opozita tek qeveria, do të kalojnë nga pozita tek opozita. Këto lojëra duhet të përfundojnë. Deputetët nuk janë në shitje!”, potencoi Skender Rexhepi nga ASH-AAA.

Kreu i partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, po ashtu ka komentuar votëbesimin e djeshëm. Ai është në izolim, por në një deklaratë për DW ka thënë se spektakli i djeshëm Zaevit shumë shpejt do t’i kthehet si bumerang. Zaev ka blerë vetëm ditë të numëruara të qeverisë në aparat për frymëmarrje, ka thënë Mickoski, i bindur se në votëbesimin e ardhshëm do ta ngrisë opozita./21Media

Back to top button