“90% e rasteve janë me Omicron, 10% Delta”! Sali: Numri po ulet, nuk ka nevojë për masa shtesë

Numri i rasteve pozitive me virusin korona dhe i të hospitalizuarve ditëve të fundit ka rënë, andaj nuk ka nevojë për ndonjë masë shtesë shtrënguese, vlerësoi Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali.

Ai shtoi se për momentin nuk ka nevojë as të hapen spitalet modulare.
Prej sot është hapur qendra Covid e Klinikës së Neurologjisë, ndërsa prej dje po funksionon qendra Covid në Klinikën e Sëmundjeve të Lëkurës.
“Dy ditët e fundit vërejmë se ka rënie të rasteve të reja. Gjithçka është nën kontroll, te ne nuk ka nevojë për masa shtesë, kam pasur komunikim me kolegun nga Kosova, doktor Rifat Latifin. Atje janë ndërmarrë masa më shtrënguese për izolim sepse situata epidemiologjike është përkeqësuar dhe ajo është politikë lokale”, deklaroi Sali.
Ai shpjegoi edhe vendimin e qeverisë për shkurtimin e karantinës për personat e infektuar. Pacientët duhet të kontaktohen nga mjeku amë në ditën e shtatë, e nëse nuk kanë simptome të njëjtit mund të dalin nga karantina, mirëpo nëse kanë simptoma, izolimi i tyre vazhdohet edhe për tre ditë.
“Nga shërbimi “Termini im” janë njoftuar të gjithë mjekët amë për mënyrën se si të evidentohen rastet. E dini se në mënyrë epidemiologjike kontaktohen nga mjekët amë në ditën e shtatë, nëse kanë rritje të temperaturës ose ndonjë simptomë tjetër, automatikisht i zgjatet periudha e vetizolimit për tre ditë. Kjo është për shkak të pranisë së dy varianteve të virusit për momentin, sipas informacioneve tona dhe analizave të bëra në Institutin për Shëndet Publik, 10% janë Delta 90 omicron”, shtoi më tej Sali.
Në lidhje me numri e lartë të të vdekurve në nivel ditor, ministri tha se kjo vjen si pasojë e metodologjisë. Fakti që jemi shteti me më shumë të vdekur nga Covid-19 në rajon, sipas Salit, vjen si pasojë e asaj që në Maqedoninë e Veriut nuk definohet a ka vdekur një pacient nga corona ose nga shkaqe tjera e në ndërkohë ka qenë pozitiv me virusin korona, raporton TV21./21Media

Back to top button