Paraburgim për tre të mitur të dyshuar për zjarrvënie në Gjykatën Themelore- Dega Kaçanik.

Gjykata Themelore në Ferizaj u ka caktuar masën e paraburgimit te të miturve të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale zjarrvënie në Gjykatën Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari I procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur, ka vlerësuar se ekziston dyshimi I bazuar, se të miturit me datë 13 mars 2024, rreth orës 03:42, me qëllim të dëmtimit me dashje kanë ndezë zjarrin në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik, ashtu që pas planifikimit paraprak, përmes shkallëve emergjente depërtojnë në katin e dytë ku me shishe hedhin benzinë në dy zyre të gjyqtarëve penalist dhe në korridor, pastaj nga shkallët emergjente ndezin zjarrin, ku për pasojë shpërthen zjarri dhe dy zyrat e gjyqtarëve dëmtohen tërësisht e po ashtu edhe korridori, kurse të dyshuarit tjerë bëjnë roje përreth gjykatës.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të dyshuarve të mitur e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.”, përfundon njoftimi./21Media

Back to top button