Partitë ende pa konsensus për zgjedhje të parakohshme

Partitë politike në vend vazhdojnë të jenë me qëndrime të ndara për mënyrën që do çonte në zgjedhje të parakohshme.
Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, e sheh shpërndarjen e Kuvendit si tw vetmen zgjidhje nëse opozita bëhet bashkë.
“Pozicioni i VV-së është mese i qartë, nëse ka konsensus mes partive opozitare për shpërndarje të Kuvendit dhe caktim të datës së zgjedhjeve ne do t’i bashkangjitemi kësaj iniciative në të kundërtën ne do ta vazhdojmë mandatin’, tha për RTV21 Enver Dugolli.
Partia më e madhe opozitare PDK-ja si inicuese e idesë për shpërndarje të Kuvendit, ka kërkuar që kjo shpërndarje të ndodh deri pasneswr, por në këtë parti thonë se deri më tani nuk kanë marrë mbështetje nga LDK-ja dhe AAK-ja për këtë çështje.
”Ne si PDK kemi ofruar opsionin tonë për shpërndarje të Kuvendit. Deri më tani s’kemi pasur konfimim nga dy partitë e tjera të opozitës. Është joreale çka po pretendojnë dy partitë opozitare..”, tha Hisen Berisha nga PDK-ja.
LDK-ja dhe AAK-ja, ndërkaq, insistojnë për dorëheqjen e kryeministrit ose shkarkimin e qeverisë. Në AAK thonë se nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket shpërndarjes së Kuvendit.
“AAK-ja i ka të qarta qëndrimet e veta sa i përketë situatës së krijuar aktualisht. Ne konsiderojmë se kryeministri duhet te jap dorëheqje apo shkarkohet”, tha Diellza Kukaj, kryetare e Aleancës së Gruas në AAK.
Në Institutin Demokratik të Kosovës, ndërkaq, thonë se aktualisht gjasat për shpërndarje të Kuvendit janë të vogla.
“Aktualisht shohim qe ka një kërkesë të PDK-së për shpërndarje por siç kemi vërejtur partitë e tjera janë kundër kësaj nisme edhe si proces ndoshta mund të realizohet sepse PDK-ja nëse ka marrëveshje me VV-në dhe partitë tjera në Kuvend….E shoh të pamundur dhe nuk pres që kjo çështje të ndodh brenda kësaj jave por gjithçka mund të ndodh”, tha Vullnet Bugaqku.
Çwshtja e zgjedhjeve të parakohshme është riaktualizuar pas takimit të kryeministrit Kurti me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, takim të cilin LDK-ja dhe AAK-ja e refuzuan./RTV21/21Media