Gashi: Trump do të vendos ultimatume për zgjidhje të problemeve Kosovë-Serbi

Profesori Universitar i Shkencave Politike, Ibrahim Gashi, në një intervistë për rtv21 ka thënë se ruajtja dhe forcimi i aleancës me SHBA-të është jetike për Kosovën. Sipas tij, Kosova do të përballet me kërkesa më të drejtpërdrejta dhe më të qarta të SHBA-së pas ardhjes së presidentit Trump. Prandaj kërkon nga përfaqësuesit politikë në Kosovë që të kenë koordinim me aleatë.

“Gjithçka do të duhej të ishte e mirë koordinuar me aleatët. Unë nuk besoj se asnjë nga shtetet mike nuk do të mbështeste forcimin e subjektivitetit dhe sovranitetin e Kosovës. Ato kanë dhënë prova që janë për forcimin e këtij subjektiviteti. Në një kohë që kemi gjeopolitik të re që po paraqitet në nivel global pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të presidentit Trump, ruajtja dhe forcimi i aleancës me SHBA-të është jetike për Kosovën. Kosova do të duhej të ishte e para që të pinë me koordinim. Ne do të kemi përballje me kërkesa më të drejtpërdrejta më të qarta të SHBA-së në raport me zbatimin e marrëveshjes për të lëvizur në rrugën e integrimit”, tha ai.

Profesori Gashi tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj e kanë vërtetuar nder vite mbështetjen e tyre ndaj Kosovës. Sipas tij, përfaqësuesit politik në Kosovë nuk duhet të sillen sikur bashkësia ndërkombëtare e ka për borxh mbështetjen ndaj Kosovës.

“Nëse do të duhej të nxjerrim bilancin se kush kujt i ka borxh në raport me ndërkombëtarët, ne përjetësisht i jemi borxhlinjtë SHBA-së dhe aleatëve të SHBA-së që u bënë edhe aleatët tonë me përpjekjet për çlirim me intervenimin e NATO-s dhe pastaj me përpjekjet për definimin e statusit dhe shpalljes së pavarësisë. Veç me mëndu ndryshe se ata na kanë borxh neve në mënyrë që me na qëndrua gjithmonë mbështetës është gabim dhe nuk do të duhej as të mendohet. Ne duhet të jemi mirënjohës dhe bashkëpunues sepse koha ka treguar se ne kemi lëvizur përpara me mbështetjen e aleatëve”.

Gashi vlerëson se Kosova nuk është ende në agjendën e presidentit Trump për shkak të luftës në Ukrainë dhe tentimit për një marrëveshje Rusi-Ukrainë. Paralajmëron se kur t’i vije radha Kosovës në agjendën e presidentit Trump, institucionet e Kosovës nuk e kanë luksin që të prolongojnë procese sepse Trump, siç tha, do të kërkojë zgjidhje të shpejta.

“Duke i parë veprimet e administratës së re Amerikane në raport me gjeopolitika globale, me zhvillimet ndërkombëtare e në veçanti me konfliktin më të madh që ka prek Evropën luftën Rusi-Ukrainë kam përshtypjen se ne nuk kemi ardhë ende në agjendën e presidentit Trump si Ballkan dhe si marrëdhënie Kosovë-Serbi sepse sigurisht vëmendja është në luftën në Ukrainë. Por, duke parë këtë diskurs shumë të fort të presidentit Trump për ti dhënë zgjidhje problemeve kam bindjen se në moment kur Kosova të vije në agjendën e tij nuk do ta kemi luksin me prolongua ne apo pala serbe. Do të ketë kërkesa shumë të qarta ultimative për të shkuar drejtë një zgjidhje që ka për epilog normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve me një marrëveshje me njohje”./RTV21/21Media

Back to top button