Prishtina në “zjarr” – “digjet” Mali i Goleshit!

Një zjarr i madh ka përfshirë bjeshkët e Goleshit që nga orët e mbrëmjes të premten dhe ka vazhduar edhe në ditën e shtune. Shefi i brigadës së zjarrfikësve për rajonin e Prishtinës, Malë Gashi, tha për RTV21 se pjesa më e madhe e zjarrit ka arritur që të lokalizohet përkundër terrenit të vështirë për intervenim.

“Mund të them se është lokalizuar, zjarri po vazhdon ende por është i lokalizuar…”, ka thënë Gashi.

Zjarret në rajonin e Prishtinës u shtuan në ditët e para të motit të nxehtë dhe sipas zjarrfikësve që nga muaji qershor deri më 5 korrik në rajonin e Prishtinës u përballen me rreth 400 vatra zjarri. Malë Gashi thotë se në 24 orët e fundit janë përballur me mbi 30 vatra të zjarreve fushore dhe malore dhe ka ngritur shqetësimin se puna e zjarrfikësve në ballafaqim me zjarret sa vjen e rritet.

“Po më duket se sa më shumë apele, aq më shumë vatra zjarri, unë nuk e kuptoj vetëm në 24 orët e fundit u përballëm me mbi 30 vatra zjarri fushor dhe malor. Vetëm në qershor me mbi 310 intervenime. Ndërsa që nga fillimi i korrikut kemi mbi 80 intervenime dhe po flas vetëm në rajonin e Prishtinës”, ka deklaruar ai.

Viteve të fundit Kosova është përballur me vatra të shumta të zjarreve fushore dhe malore për shkak të thatësisë së madhe që ka kapluar vendin. Shkaktar kryesor për zjarret fushore dhe malore, thuhet të jetë pakujdesia e njeriut.

Me një apel për situatën e krijuar gjatë ditës doli edhe Ministria e Brendshme e cila dha udhëzime se si të veprohet në rast se vërehen zjarret fushore/malore.

“APEL PËR KUJDES – MOS NDEZNI ZJARR! Agjencia e Menaxhimit Emergjent u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë stinës së verës, e cila karakterizohet me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për zjarre. Zjarret në pyje, fusha dhe hapësira të hapura shkaktojnë dëme të mëdha materiale, ndotin ajrin, shkatërrojnë natyrën dhe rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve. KUJDES: ZJARRVËNIET JANË VEPËR PENALE! Vlen të theksohet dhe t’iu bëhet e ditur se zjarrvëniet e qëllimta, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepra penale të cilat sanksionohen me ligj. Çdo person që shkakton zjarr, duke dëmtuar pronën publike apo private, ose duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe mjedisin, përballet me ndjekje penale dhe masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në apel.

Kosova me zjarre fushore dhe malore u ballafaqua edhe në verën e vitit të kaluar. Më i madhi ishte zjarri në Prevallë ku në muajin gusht zjarrfikësit u përballen me të për 10 ditë rresht, ndërsa lokalizimi i tij u bë i mundur vetëm pas intervenimit të KFOR-it nga ajri. /RTV21/21Media

Back to top button