Kaloni te përmbajtja kryesore

Sorensen deklarohet pas takimit me Osmanin dhe Kurtin

(Lajm i përditësuar)

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka paralajmëruar vonesa në dialog për shkak të vonesave në formimin e institucioneve në Kosovë. Megjithatë, ai theksoi se dialogu Kosovë-Serbi është gjallë dhe ende aktiv.

Ai pas takimeve me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, tha se ka biseduar lidhur me implementimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023 mes Kosovës dhe Serbisë.

Sorensen, në një adresim të shkurtër para mediave, tha se situata politike në Kosovë do të bëjë që gjërat të zgjasin më shumë në procesin e dialogut.

Kosova, edhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ende nuk ka formuar institucionet e reja, si pasojë e bllokadës në konstituimin e Kuvendit.

“Sapo pata një takim me z. Kurti. E takova presidenten herët në mëngjes. Jam këtu si pjesë e diskutimeve të mandatit tim se si të zbatohet marrëveshja e Ohrit, situata në terren. Sigurisht, situata politike këtu do të thotë që gjërat mund të zgjasin pak më shumë. E di këtë, kështu që ky është një takim i rregullt dhe jam shumë i lumtur që jam këtu sot dhe që më pritën në atë mënyrë siç më kanë pritur”, tha ai.

Diplomati danez, kur u pyet për statusin e dialogut Kosovë-Serbi momentalisht, tha se i njëjti është gjallë dhe aktiv.

 


Sorensen arrin në objektin e Qeverisë, zhvillon takim me Kurtin

Emisarin i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen ka arritur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Sorensen është parë teksa hynë në objekt aty ku do të takojë, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Sorensen para takimit me Kurti ka zhvilluar takim edhe me presidenten, Vjosa Osmani.

Pas takimit pritet të ketë një deklaratë të shkurt për media.


​Emisari i BE-së për dialog takon Osmanin, më pas do ta takojë Kurtin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po pret në takim emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Mediat u lejuan të marrin vetëm pamje në fillim të takimit, derisa nuk pritet të ketë deklarime.

Pas takimit me Osmanin, emisari Sorensen do të zhvillojë takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në orën 11:00.

Sorensen ka marrë detyrën e ndërmjetësit të dialogut në shkurt të vitit 2025, derisa kjo është vizita e tij e tretë në Kosovë.


Osmani sot pret në takim emisarin e BE-së për dialog

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të zhvillojë sot një takim me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Sipas njoftimit, takimi do të mbahet në ora 10:00, në Kabinetin e Presidentes.

Mediat do të kenë mundësinë të marrin pamje në fillim të takimit.

Ndërkohë nuk ështl bërë e ditur nëse do të ketë konferencë për media pas takimit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button