FFK i dërgon notë proteste UEFA-s, pasi Federata Spanjolle iu referua Kosovës si “territor”

(Lajm i përditësuar)


FFK i dërgon notë proteste UEFA-s, pasi Federata Spanjolle iu referua Kosovës si “territor”

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka paraqitur notë proteste ndaj UEFA-s dhe Federatës Spanjolle të Futbollit.

Kjo pasi në komunikimet zyrtare për ndeshjen kualifikuese të Evropianit 2027 për grupmoshat U21, Kosovë-Spanjë, Federata Spanjolle iu referua Kosovës si “territori i Kosovës”.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, përmes një shkrese drejtuar presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe atij të Federatës Spanjolle, Rafael Louzan, ka shprehur shqetësimin, duke theksuar se Kosova është anëtare e barabartë e familjes së futbollit evropian dhe botëror.

“Federata e Futbollit e Kosovës, përmes një shkrese të presidentit Agim Ademi drejtuar presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe presidentit të RFEF-së, Rafael Louzan, ka paraqitur notë proteste ndaj veprimit të papranueshëm të Federatës Spanjolle të Futbollit. Në komunikimet zyrtare për ndeshjen kualifikuese të Evropianit 2027, Kosovë U21 – Spanjë U21, kjo federatë iu referua Kosovës si “territori i Kosovës”, gjë që bie ndesh me rregullat dhe parimet e UEFA-s dhe FIFA-s”, shkruhet në njoftimin e FFK-së.

Ndeshja ndërmjet Kosovës U21 dhe Spanjës U21 do të zhvillohet sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.


Skandali nga federata spanjolle për Kosovën, komentuesit reagojnë ashpër ndaj Spanjës

Kosova U21 do të përballet sonte me Spanjën U21 në ndeshjen e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2027. Federata e Futbollit e Spanjës ka vazhduar me qasje të papranueshme karshi Kosovës.

Në faqen zyrtare të kësaj federate kanë shkruar disa qytetarë të cilën kanë reaguar ashpër ndaj këtij skandali nga Federata spanjolle.

Disa prej komenteve që kanë shkruar qytetarët janë “Kosova është Republikë”, “Kape meniren fshije mos tkemi ma shume probleme. Une qetash edhe pak hi e kqyri a e ke fshi, o me bo mos me fshi ka me tdal pune”, përfshirë edhe disa komente tjera me sharje. /21Media


​Federata e Spanjës i referohet Kosovës “Territori i Kosovës” në njoftimin për ndeshjen e sotme

Kosova U21 do të përballet sonte me Spanjën U21 në ndeshjen e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2027. Takimi zhvillohet nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në Spanjë, kjo ndeshje po raportohet si duel në “territorin e Kosovës”, pasi Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet.

Përveç Kosovës dhe Spanjës, në Grupin A bëjnë pjesë edhe Finlanda, Rumania, San Marino dhe Qipro, gjë që e bën garën për kualifikim të fortë dhe të pasigurt deri në fund.

Dardanët U21 shpresojnë të marrin mbështetje të madhe nga tifozët në “Fadil Vokrri”, në përpjekje për të befasuar një prej skuadrave më të fuqishme të futbollit evropian të kësaj moshe.

Back to top button