Memli Krasniqi dorëzon mandatin, bën thirrje për unitet dhe energji të re

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur Konventën për zgjedhjen e kryetarit të ri, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.
Në hyrje të Konventës Memli Krasniqi, pas 4 viteve e 4 muajve në krye të PDK-së ka falënderuar delegatët e Konventës që ia dhanë besimin në një prej periudhave më sfiduese në historinë e partisë.
Duke shtuar se PDK ka nevojë që kryetari i saj të jetë edhe kandidati për kryeministër.
“Pas gati 1600 ditësh shërbimi si udhëheqës i juaji, besoj se PDK ka nevojë për një momentum të ri, për një kapitull të ri, teksa përgatitet për zgjedhjet nacionale të radhës. Nuk po largohem prej lodhjes. Nuk po largohem prej zhgënjimit. Përkundrazi! Po e bëj këtë hap, sepse besoj thellë se: PDK ka nevojë për energji të re. PDK ka nevojë për një moment të ri unifikimi. PDK ka nevojë që Kryetari i saj të jetë edhe kandidati për Kryeministër. Po e bëj këtë nga përgjegjësia, jo sepse shtëpia jonë është e thyer, por sepse është mjaftueshëm e fortë për t’u ngritur në lartësi të reja. Po dorëhiqem duke e ditur se PDK-në po e lë më të fortë se sa që e gjeta kur më zgjodhët që t’ju prij. Ndoshta nuk është shumë, por ju siguroj se nuk kam kursyer as atomin e fundit të angazhimit dhe të dijes time për Partinë Demokratike të Kosovës. Sepse, ju e dini: Për më shumë se 20 vjet, PDK është shtëpia ime politike. Vendi ku u rrita, ku u testova, ku mësova, ku shërbeva dhe ku fitova. Vendi ku pata nderin historik të jem një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Vërtetë, ka qenë dhe është nderi më i madh i jetës sime që të udhëheq këtë parti. Partinë e krenarisë sonë kombëtare. Partinë që ka shkruar faqet më të ndritura të historisë së Kosovës. Partinë që e kanë udhëhequr dy burra që kanë shkruar epokën më të lavdishme të vendit tonë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Prej tyre kam mësuar shumë, por mbi te gjitha faktin se lidershipi nuk është privilegj. Është përgjegjësi”, tha Krasniqi.
Krasniqi ndër të tjera tha se kushdo që të zgjidhet kryetar i ri sot do ta ketë mbështetjen e tij të plotë, duke bërë thirrje për bashkim dhe unitet, sepse PDK e bashkuar është PDK e pandalshme.
“Për Kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës, megjithatë, kam një mesazh të shkurtër për fund: Çdo udhëheqës është vetëm një rojtar i përkohshëm i një rruge të gjatë. Sot, kur unë po e liroj vendin, dua ta marrësh me vete këtë mendim të lashtë, që dikur poetët e veriut e thoshin për ata që bartnin stafetën: “Rruga nuk i përket udhëheqësit – udhëheqësi i përket rrugës”. Do të vijnë ditë të lehta, por edhe ditë të rënda. Do të ketë duartrokitje, por edhe heshtje e kritika. Por, për sa kohë ecën me qëllim të mirë, me zemër të pastër dhe me punë të sinqertë, rruga vetë do të të udhëheqë”, deklaroi ai.