Kasapolli: Më 28 dhjetor do të ndahet shapi prej sheqerit

Gëzim Kasapolli ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se Kosova ka përjetuar mungesë demokracie gjatë pesë viteve të fundit. Sipas tij, një parti politike që “në thelb nuk ka demokraci brenda vetes, nuk mund të jetë demokratike as në qeverisje”.

Kasapolli, i cili së fundmi ka aderuar në LDK, tha se pikërisht kjo është arsyeja që ka vendosur t’i bashkohet kësaj partie, duke e cilësuar LDK-në si adresën ku beson se mund të kontribuojë në demokratizimin e institucioneve.

“Një parti e cila ka qenë në pushtet, dhe në thelb nuk ka qenë demokratike, nuk mund të pretendojë të shfaqë demokraci në institucione. Pikërisht kjo është dobësia që jemi duke luftuar të gjithë. Kam thënë edhe më herët se lufta apo beteja që kemi nisur sot nuk është betejë e subjekteve politike, por është betejë e mentaliteteve. Kjo është arsyeja pse LDK ka hapur dyert për të gjithë ata që mund të japin kontribut për demokratizimin e institucioneve dhe për mbështetjen e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Në kuptim politik, ajo që ka ndodhur gjatë këtij 4-5 vjeçari të fundit është diçka që nuk guxon të ndodhë më. Është diçka që duhet ta tejkalojmë, dhe politikën duhet ta bëjmë në mënyrë racionale. Më 28 dhjetor, si datë e rëndësishme, do të ndahet shapi prej sheqerit.”, tha Kasapolli.

Kasapolli, në një intervistë për RTV21, ka konfirmuar se në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jetë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së./RTV21/21Media

Back to top button