“Pastërtia” e listave zgjedhore të partive politike

Pas pranimit të listave me kandidatë për deputetë nga subjektet politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu drejtua Këshillit Gjyqësor për verifikim të tyre nëse të njëjtit plotësojnë kriteret për certifikim sipas ligjit për zgjedhje.
Neni 30 i këtij ligji thotë se një person nuk mund të jetë kandidat për deputet në rast se në tri vitet e fundit është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv.
Në KQZ thanë se tashmë e kanë pranuar përgjigjen e Këshillit Gjyqësor pas verifikimit të listave por nuk bënë të ditur se çfarë përmban ajo.
“Ne pothuajse kemi pranuar përgjigjet nga KGJK-ja dhe janë duke u përgatitur rekomandimet për certifikimin ose jo të kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje dhe këto do të paraqiten në mbledhjen e KQZ-së pastaj KQZ-ja do të vendosë për apo kundër certifikimit të një personi si kandidat për deputetë. S’mund të jap përgjigje sepse rekomandimet janë në përgatitje e sipër’, tha Elezaj.
As në Këshillin Gjyqësor të Kosovës nuk bënë të ditur se sa është numri i kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për certifikim duke thënë për RTV21 se nuk kanë autorizim për dhënie të informacioneve të tilla.
Këshilli gjyqësor gjatë mandatit të tij kryen verifikimin e gjendjes penale të kandidateve, në përputhje me kërkesat e ligjit përkatës mbi zgjedhjet. Duke qenë se KGJK vetëm përmbush këtë obligim ligjor, nuk kemi autorizim për të dhënë informacione lidhur me këtë proces në këtë fazë të zhvillimit të tij. Prandaj, ju lutemi që kërkesën tuaj ta drejtoni te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Qorraj.
Por ndërkohë burime të RTV21 bënë të ditur se nga verifikimi i kandidatëve nga KGJK-ja, vetëm një kandidat nga një subjekt jo-parlamentar ka rezultuar se është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv.
Por përtej kritereve ligjore, partitë politike nuk u kursyen të përfshijnë në lista zgjedhore kandidatë me aktakuza, të dënuar në të kaluarën apo ndonjë problem tjetër më ligjin.
Juristi Hasan Shala thotë se Kuvendi duhet të pastrohet nga njerëzit që kanë telashe me ligjin.
“Partitë politike kane interesat e tyre dhe mendoj se vërtet duhet te ketë pastërti nga shkelësit e ligjit ne Kuvend. Këta persona që janë dënuar ose kane akuza moralisht s’kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje sepse kuvendi duhet te jete i pastër nga persona që kanë përgjegjësi penale. Ka mjaftueshëm persona që janë të akuzuar që janë në procedurë penale por partitë më me interes i kanë votat sepse pastërtitë e parlamentit…”, tha Shala.
Afati i partive politike për dorëzim të listave me emrat e kandidatëve për deputetë në KQZ përfundoi me 7 dhjetor./RTV21/21Media