IPK arreston një zyrtar policor në Vërmicë për marrje ryshfeti dhe një shtetas të Serbisë

Inspektoriati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor me dyshimin për marrje ryshfeti dhe një qytetar të dyshuar për dhënie ryshfeti.
Përmes një njoftimi nga IPK është thënë se dyshimi ekziston që sot zyrtari policor gjatë ushtrimit të detyrës në stacionin e policisë kufitare në Vërmicë, me përfitim financiar i ka mundësuar një qytetari serb hyrjen në Kosovë.
Pas disa veprimeve hetimore dhe operative në terren, zyrtari policor është arrestuar dhe ndaj tij, me vendim të prokurorit kompetent, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Kurse në lidhje me rastin, është arrestuar edhe qytetari – shtetas i Republikës së Serbisë, ndaj të cilit është iniciuar rast penal për veprën penale “dhënia e ryshfetit”, ndërsa edhe atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”. Në bazë të hetimeve fillestare ekziston dyshimi se zyrtari policor gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare sot në Stacionin e Policisë Kufitare në Vërmicë, për përfitim financiar i ka mundësuar një qytetari të Republikës së Serbisë hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës, ndonëse këtij qytetari paraprakisht i ishte ndaluar hyrja në territorin e Republikës së Kosovës. Pas pranimit të informacioneve të para për këtë rast, hetuesit e IPK-së kanë filluar hetimet me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren. Pas disa veprimeve hetimore dhe operative në teren, nga hetuesit e IPK-së është arrestuar zyrtari policor kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me këtë rast është arrestuar edhe qytetari (shtetas i Republikës së Serbisë) dhe ndaj tij është iniciuar rast penal me dyshimin për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim./21Media