Radoniqi deklarohet sërish për problemet me rrymë në qendrat e votimit

Ai foli rreth problemeve me energji elektrike në disa komuna, dhe për hapat që janë ndërmarrë në rregullimin e këtij telashi.
“Jemi duke pranuar raportime të ndryshme nga qendrat e votimit lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor. Sipas raportit të orës 15:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar disa probleme të tjera me mungesë të energjisë elektrike në tri qendra votimi në komunën e Skenderajt, dy në komunën e Malishevës, dhe dy qendra të tjera në Novobërdë dhe Obiliq. Për të gjitha këto raste është njoftuar KEDS-i për t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm në rikthimin e energjisë elektrike dhe sipas informacioneve kjo ka ndodhur për një kohë shumë të shpejtë”, tha ai.
Sipas tij, ndërprerjet e energjisë elektrike nuk janë të gjata, pasi siç thotë ai, po intervenohet shpejt nga ekipet kompetente.
Radoniqi ka thënë se mbetet të shihet se si do të veprohet, duke premtuar megjithatë se s’do t’i lënë votuesit që të votojnë në terr.
“Shpresojmë që s’do të kemi ndërprerje të rrymës prej orëve kur do të bie terri. Por metët të shohim. Integritetin e zgjedhjeve jodomosdoshmërisht mund ta cenojë energjia elektrike. Por do të shohim”, ka thënë Radoniqi.
“Do të sigurohemi që s’do t’i lëjmë në terr me votu. Por procesi i votimit nuk ndalet”, ka shtuar ai.