Kaloni te përmbajtja kryesore

SHBA-ja dhe Bordi i Paqes urojnë Kosovën, Qeveria hesht!

Më 22 janar, presidentja Vjosa Osmani iu përgjigj një ftese të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që Kosova të jetë pjesë e Bordit të Paqes në mesin e shumë shteteve të botës. Megjithatë, as pas një jave nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, Qeveria në detyrë nuk ka pasur ndonjë reagim. RTV21 ka kërkuar të dijë arsyet, por deri më tash nuk ka pranuar përgjigje. Ndërkohë, Osmani ka shkruar se Kosova do të vazhdojë të ecë përpara, e palëkundur në rrugën e saj drejt familjes euroatlantike dhe duke ndërtuar partneritete të forta anembanë botës.

Bordi i Paqes dhe Ambasada e SHBA-së, përmes një reagimi gjatë ditës, e kanë mirëpritur Kosovën si anëtare themeluese të kësaj organizate në rritje.
Ndërsa, ambasadori i karrierës, Albert Prenkaj, e quan lajm të mirë për vendin anëtarësimin në Bordin e Paqes. Ndërkaq, ai vlerëson se mosreagimi i Qeverisë ka prapavijë politike.

“Ne e kemi parë Qeverinë Kurti II që ka pasur komunikim të vështirë me SHBA-të, duke treguar mungesë bashkëpunimi, dhe kjo na ka kushtuar, pasi kemi parë edhe pezullimin e dialogut strategjik. Mund të ketë edhe pakënaqësi se pse nuk është ftuar zoti Kurti, por nuk ka arsye, pasi aktualisht nuk kemi qeveri as legale e as legjitime. Ndërkohë, presidentja ka qenë e vetmja levë komunikimi me SHBA-të që ka edhe legalitet, edhe legjitimitet”, tha Albert Prenkaj, ambasador i karrierës.

Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, kërkon angazhim serioz të institucioneve të Kosovës për ta afirmuar vendin në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, Bordi i Paqes ka një afatizim të lidhur me kohëzgjatjen e mandatit të dytë të presidentit Donald Trump.

“Shumë shtete mund t’i shfrytëzojnë mundësitë e tyre në këto kontura globale të reja, ndër to duhet ta shfrytëzojë edhe Kosova. Raportet e inteligjencave perëndimore thonë se në pesë vitet e ardhshme mund të presim eskalim të luftërave globale. Mund të ketë ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe, në këto kontura, Kosova duhet të reagojë shumë shpejt dhe fuqishëm, pasi vetëm në javën e fundit ka pasur dhjetëra ngjarje të rëndësishme politike dhe assesi nuk duhet të lejohet që ndonjë përçarje politike t’ia humbë Kosovës mundësinë e shfrytëzimit të mekanizmave të tillë”, tha Kuçi për RTV21.

Ndërsa, ambasadori Prenkaj tha se Kosova, duke qenë anëtare e Bordit të Paqes, mund ta shfrytëzojë këtë edhe për shtimin e njohjeve të reja.

“Anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është lajm i mirë, sepse e rikthen Kosovën në hartën politike të gjeografisë evropiane. Kosova duhet të fillojë t’i shohë përfitimet e saj në kuadër të këtij bordi. Në këtë bord janë mbi 50 për qind e vendeve që nuk e njohin Kosovën, prandaj Kosova duhet të punojë në këtë platformë multilaterale për ta rritur numrin e njohjeve.”, deklaroi Prenkaj.

Marrëveshja me presidentin Trump për Bordin e Paqes duhet të ratifikohet në Kuvend, por zvarritja e moskonstituimit të këtij institucioni ligjvënës, sipas studiuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare Gurakuç Kuçi, mund të ndikojë që Kosova ta humbasë momentumin.

“Është imperative që marrëveshja të ratifikohet në Kuvend dhe assesi të mos lihet peng i çështjeve të brendshme, në mënyrë që të mos dështojnë synime kaq të mëdha.”, tha Kuçi.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka jetësuar Bordin e Paqes, një nismë që, sipas tij, synon të zgjidhë konfliktet globale dhe të promovojë stabilitetin dhe paqen në zonat e prekura apo të kërcënuara nga konfliktet./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button