“E pakalueshme”, shembet një rrugë në Veternik gjatë punimeve të një kompanie ndërtimore

Një rrugë është shembur në Veternik, përkatësisht “Richard Hoolbroke” në kryeqytet si pasojë e punimeve të një kompanie ndërtimore që po ndërton një objekt në këtë zonë.
Para rreth një muaji, gjatë zhvillimit të punimeve, ka ndodhur shembja e parë e dheut, ku bashkë me të është dëmtuar edhe rruga publike, duke e bërë atë të pakalueshme për qytetarët të asnjë pjese.
Një banor i kësaj lagjeje, ka dërguar fotografi dhe video në redaksinë tonë, përmes të cilave tregon se problemi ka nisur që nga momenti i shembjes së dheut, rreth një muaj më parë, dhe se që nga ajo kohë rruga vazhdon të jetë e pamundur për lëvizje, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për banorët dhe për qarkullimin e automjeteve në këtë rrugë.
Pas informatave të pranuara nga qytetari, redaksia jonë ka kontaktuar Komunën e Prishtinës, respektivisht Drejtorin e Inspektoratit, Florian Dushi, i cili ka deklaruar për KosovaPress se nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë rast.
“Nuk kam informacione”, kështu është përgjigjur shkurt Dushi për KosovaPress.
Sipas qytetarit, kompania që ka shkaktuar dëmtimin e rrugës publike është “Trio Construction”, e cila po realizon punimet ndërtimore pranë kësaj rruge.
KosovaPress ka kontaktuar edhe këtë kompani, nga e cila kanë deklaruar se rruga është duke u rregulluar dhe se nga dita e hënë pritet të jetë në funksion.
Megjithatë, aktualisht kjo rrugë vazhdon të jetë e pakalueshme për qytetarët, ndërsa problemi, sipas banorëve, po zgjat tash e një muaj pa ndonjë zgjidhje konkrete në teren.