Fushata politike në vend të programeve po “servon” dh*në

Në kohën kur shumë investime infrastrukturore në Kosovë kanë mbetur pa përfunduar, subjektet politike fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit e kanë fokusuar kryesisht në akuza dhe kundër akuza mes vete. Përplasje të cilat sipas analistëve, po ua largon vëmendjen qytetarëve nga problemet reale me të cilat përballen çdo ditë. Një nga projektet e mbetura pezull është autostrada e Podujevës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se projekti pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Megjithatë, zvarritja e punimeve në këtë projekt, i nisur vite më parë, po vazhdon t’u shkaktojë vështirësi qytetarëve.
“Po çka ka ma keq, që sa ka nisë 10 punëtor punojnë, kurrgjë hiç…”, tha një qytetar.
“Tmerr i zotit ka met kjo rrugë…”, u shpreh një tjetër qytetar
“S’ka koment, sdi çka tt thom katastrof…”, tha qytetari
Përveç autostradës së Podujevës, pa përfunduar kanë mbetur edhe shumë rrugë të tjera në Kosovë të cilat gjithashtu kanë nisur vite më herët, siç është autostrada e Gjilanit ajo e Mitrovicës, autostrada e Dukagjinit e cila më vonë ishte anuluar dhe ishte planifikuar që të bëhet vetëm zgjerimi i rrugëve, por edhe një numër projektesh të tjera të cilat kanë mbetur vetëm në letër. Në këtë situatë, kryetari i Aleancës së Bizneseve, Agim Shahini, thotë se përveç se këto projekte nuk po përfundojnë, qytetarëve në Kosovë po iu paraqesin vështirësi në lëvizje edhe projektet ekzistuese të cilat për pasojë të mos mirëmbajtjes së tyre, po shkaktojnë aksidente me fatalitet. Shahini, thekson faktin se shoqëria në Kosovë ka kohë që nuk ka përjetuar projekte të reja të cilat do të përveç lehtësimit të jetës, do të shtonin vullnetin e qytetarëve për të qëndruar në Kosovë.
“Qytetarët në Kosovë nga Prishtina as nuk e mendojnë që të nisën për në Rugovë krejt kjo si shkak i rrugës që ka mbetë pa përfundu tash e sa vite. Nuk kanë vullnet as me u nisë për Gjilan si shkak i mos përfundimit të austoradës. Njësoj ka mbetë edhe ajo e Podujevës se mos të flasim për investimet në komuna…”, tha Shahini për rtv21.
Partitë politike, në prag të votimeve të 7 qershorit, në vend se të garojnë me projekte konkrete për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, kanë kthyer në armën kryesore akuzat dhe gjuhën e urrejtjes ndaj njëra-tjetrës. Gjuhë kjo, ditë më parë, u reflektua edhe në dhunë reale mes zyrtarëve të lartë shtetërorë. Ndërkohë, njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri, thotë se pasojat e mos angazhimit të politikanëve i bartin qytetarët, pasi investimet publike janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në përmirësimin e jetës së tyre.
“Po normale që e bëjnë jetën më të lehtë, ulin shpenzimet, reduktojnë prishjet, kohën”, tha Beqiri.
Megjithatë edhe pse investimet nga qeveria e Kosovës u bënë vite që kanë stagnuar, janë komunat ato të cilat me gjithë vështirësitë e tyre që kanë arritur që t’i përfundojnë disa projekte që kontribuojnë në lehtësimin e jetës së qytetarëve. Komuna e Prishtinës ditë më parë njoftoi që ka përfunduar Unazën e Brendshme të kryeqytetit me një investim vetanak prej 5 milionë eurosh. Një projekt të ngjashëm vitin e kaluar në kuadër të transformimit urban e pati edhe komuna e Ferizajt e cila përfundoi nënkalimin për automjete që cilësohet si më i madhi në gjithë komunat e Kosovës./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?