Shpëtohet bjeshkatari gjerman në Luboten

Një bjeshkatar me shtetësi gjermane është shpëtuar sot në zonën e majës së Lubotenit, pasi pësoi lëndime të shumta trupore gjatë një aksidenti në terren malor.
Sipas njoftimit të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, rasti ka ndodhur më 26 maj 2026, kur numri kujdestar i këtij shërbimi ka pranuar një thirrje emergjente për ndihmë nga zona e Lubotenit.
Bëhet e ditur se një grup bjeshkatarësh nga vende të ndryshme të Evropës po zhvillonin aktivitet bjeshkatar në majën e Lubotenit, ndërsa gjatë kthimit, bjeshkatari gjerman me inicialet P.J., 48-vjeçar, ka rrëshqitur në faqen lindore të mbuluar me borë.
Si pasojë e rrëshqitjes, ai ka rënë rreth 500 metra në një terren të thepisur malor, duke pësuar lëndime të shumta që ia kanë pamundësuar lëvizjen.
Menjëherë pas pranimit të informatës dhe koordinatave të vendngjarjes, ekipet e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor kanë mobilizuar dy skuadra të shpëtuesve dhe kanë nisur operacionin e kërkim-shpëtimit.
I lënduari është transportuar me metoda specialistike të shpëtimit malor dhe më pas është bartur me automjete 4×4 deri te pika ku e priste autoambulanca.
Sipas autoriteteve, gjendja e bjeshkatarit gjerman raportohet stabile, pavarësisht lëndimeve të shumta që ka pësuar.
Operacioni i shpëtimit është zhvilluar në koordinim me Policinë e Kosovës, Ambasadën Gjermane, Shërbimin e Urgjencës në Ferizaj dhe autoritetet tjera relevante.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?