Blerta Deliu-Kodra për përplasjen LDK-PSD: Ky debat po i konvenon Kurtit

(Lajm i përditësuar)
Blerta Deliu-Kodra për përplasjen LDK-PSD: “Ky debat po i konvenon Kurtit”
Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka komentuar përplasjen mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate gjatë debatit televiziv në RTV21, duke thënë se diskutime të tilla po ia largojnë vëmendjen qytetarëve nga problemet reale.
Deliu-Kodra tha se nuk dëshiron të marrë rolin e ndërmjetësueses në debatin mes dy partive opozitare, por vlerësoi se kjo përplasje po i shkon në favor kryeministrit Albin Kurti.
“Nuk dua të bëhem pjesë e përplasjeve të tilla, sepse ky lloj diskutimi i ka konvenuar Kurtit për ta larguar vëmendjen nga nevojat që i kanë njerëzit”, deklaroi ajo.
Blerta Deliu-Kodra: 21 mijë familje në Kosovë jetojnë me vetëm 1 euro në ditë
Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra në debatin zgjedhor në RTV21, ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke thënë se Kosova ka stagnuar në shumë fusha gjatë viteve të fundit.
Ajo deklaroi se, sipas saj, “egoja për pushtet” e kryeministrit Albin Kurti ka ndikuar në varfërimin e qytetarëve dhe në largimin e madh të popullsisë nga vendi.
“Egoja për pushtet e Kurtit e ka varfëruar Kosovën. Sot, 21 mijë familje në Kosovë jetojnë me 1 euro në ditë, ndërsa për katër vite rreth 250 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën”, tha Deliu-Kodra.
Ajo shtoi se vendi ka stagnuar në shumë sektorë dhe se qytetarët po përballen me vështirësi të shumta ekonomike dhe sociale.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?