LDK kundërshton idenë për Xhandarmëri: As kryeministri e as ministri nuk mund të krijojnë Xhandarmëri

(Lajm i përditësuar)
LDK kundërshton idenë për Xhandarmëri: As kryeministri e as ministri nuk mund të krijojnë Xhandarmëri
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Fadil Hadërgjonaj, ka kundërshtuar idenë për krijimin e një Xhandarmërie në Kosovë, duke e cilësuar atë si të papërshtatshme dhe jashtë kornizës institucionale.
Në debatin zgjedhor të RTV21, Hadërgjonaj tha se “sa i përket propozimit për Xhandarmërinë, kemi dëgjuar se ministri Sveçla ka nxjerrë një vendim dhe ka krijuar një grup punues. Vetëm si nismë nuk është e drejtë dhe nuk është ashtu siç duhet të jetë institucionalisht”.
Hadërgjonaj theksoi se as ministri dhe as kryeministri nuk kanë mandat të krijojnë struktura të reja të sigurisë pa një bazë të qartë ligjore dhe institucionale.
“Nuk mundet as ministri e as kryeministri të krijojnë një forcë të ndërmjetme, sepse xhandarmëria është forcë ndërmjet Policisë dhe Ushtrisë”, tha ai.
Sipas kandidatit të LDK-së, Kosova duhet të fokusohet në forcimin e institucioneve ekzistuese të sigurisë, në vend të krijimit të strukturave të reja.
“Ne nuk e kemi atë luks. Duhet të investojmë në Policinë e Kosovës dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, e jo të krijojmë struktura të reja që mund të shkaktojnë mbivendosje kompetencash”, u shpreh Hadërgjonaj.
“Nuk i besoj premtimeve të Kurtit”, Hadërgjonaj kujton zotimin për shërbimin ushta*ak
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Fadil Hadërgjonaj, në debatin zgjedhor të RTV21 ka folur për rëndësinë e sigurisë kombëtare, duke theksuar se ajo duhet të jetë prioritet i të gjitha forcave politike në vend.
Hadërgjonaj tha se siguria është themeli i funksionimit të shtetit dhe një nga kushtet kryesore për zhvillimin e vendit.
“Siguria kombëtare e Kosovës është interes i të gjitha partive politike në Kosovë. Siguria është jetike dhe bazike. Pa siguri nuk do të kemi shtet”, deklaroi ai.
Duke komentuar çështjen e mbrojtjes dhe premtimet e qeverisë aktuale, Hadërgjonaj shprehu skepticizëm ndaj zotimeve të kryeministrit në largim.
“Nuk jam i prirur t’u besoj shumë premtimeve të Albin Kurtit, sepse ai erdhi në pushtet me premtimin se do ta bënte obligativ shërbimin ushtarak, ndërsa pas gjashtë vitesh kjo ende nuk ka ndodhur”, tha Hadërgjonaj.
Ai theksoi se çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes duhet të trajtohen me seriozitet dhe përmes politikave konkrete, duke shtuar se forcimi i kapaciteteve të sigurisë mbetet një ndër sfidat kryesore për institucionet e Kosovës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?