Kurti në Kuvend: Eliot Engel, zëri i Kosovës në ditët më të vështira

(Lajm i përditësuar)
Pasi bojkotuan seancën për Engel, deputetët e Listës Serbe vijnë në Kuvend
Deputetët e Listës Serbe janë kthyer në Kuvend pasi bojkotuan seancën solemne në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan, Eliot Engel.
Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës sonë dhe mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë, ku një vend të veçantë e zë Eliot Engel, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai në seancën përkujtimore të Kuvendit në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan, tha se Eliot Engel u bë zëri i Kosovës në kohët më të vështira për vendin.
“Kongresisti Eliot Engel, miku i shqiptarëve në përgjithësi dhe i Kosovës në veçanti, nuk hezitoi asnjëherë të ngriste zërin në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të pozicionohej në anën e drejtë të historisë. Për më tepër, ai avokoi dhe u angazhua pa kursyer që të drejtat të triumfojnë… Ai nuk u kursye asnjëherë në angazhimin e tij duke e ngritur dhe avokuar për mbrojtjen e çështjes sonë në institucionet më të larta amerikane. Për më shumë se tri dekada, Engel ishte një shërbyes i qytetarëve amerikanë dhe përfaqësues i fuqishëm për të drejtat e njeriut kudo në botë dhe sidomos për ne… Në kohët më të vështira për shqiptarët, Engel u bë zëri që nuk e kishim dhe u bë kongresisti ynë dhe i tillë do të mbetet për gjithmonë… Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës sonë dhe mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë, ku një vend të veçantë e zë Eliot Engel”, tha ai.
Kuvendi mblidhet në seancë solemne për kongresmenin Eliot Engel, mban një minutë heshtje
Me një minutë heshtje Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën solemne në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan, Eliot Engel.
Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe njëherësh kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Engel nuk reshti së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës dhe se ngriti zërin në kohën kur bota heshtte.
“Sot, në këtë seancë kujtojmë dhe nderojmë një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës, i cili në ditët më të vështira të historisë sonë të re ngriti zërin fuqishëm për shkeljen e të drejtave tona, represionin dhe persekutimin nga regjimi serbo-jugosllav”, tha Haxhiu.
Nis seanca në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan, Eliot Engel
Ka nisur seanca solemne e Kuvendit të Kosovës në shenjë nderimi për kongresmenin amerikan, Eliot Engel.
Seanca filloi me një minutë heshtje në nderim të tij.
Ish-kongresisti amerikan ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës. Mbështetja e tij e palëkundur për Kosovën gjatë dekadave e ka bërë atë një personazh të famshëm në Kosovë.
Kosova ka emëruar një rrugë dhe një autostradë në nder të Engelit dhe madje ka lëshuar një pullë me imazhin e tij.