Maloku: Më shumë ka gjasa të ketë zgjedhje sesa zgjidhje për presidentin

Kur kanë mbetur edhe katër ditë afat për zgjedhjen e presidentit, politologu Albinot Maloku vlerëson se gjasat më të mëdha janë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja sesa të gjendet një zgjidhje. Sipas tij, partitë politike, në veçanti LVV-ja, nuk kanë pasur interes për të gjetur zgjidhje.
“Vullnet nuk ka pasur për të gjetur zgjidhje, ndoshta që menjëherë pas 28 dhjetorit. Tentativat për takime ishin vetëm një përpjekje formale nga ana e akterëve politikë, posaçërisht LVV-së, që të mos zgjidhet çështja e shefit të shtetit. Për rrjedhojë, këto ditë mund të ndodhë ndonjë befasi, mirëpo nuk ka shenja që të mos kemi një proces të parakohshëm zgjedhor. Probabiliteti për të pasur proces zgjedhor është shumë më i madh sesa zgjidhja e çështjes së shefit të shtetit” tha Maloku për RTV21.
Politologu Maloku tha se LVV-ja nuk i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit, prandaj sipas tij Kurti duhet të tregojë gatishmëri për kompromis.
“Kam përshtypjen që subjekti më i madh në Kuvend nuk po arrin të sqarojë se çfarë po dëshiron, dhe ky është problemi më i madh. Nëse është insistuar vazhdimisht në plotësimin e kriterit thelbësor demokratik për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si pasojë e rrjedhës kushtetuese dhe e mundësisë për formimin e Qeverisë, atëherë natyrshëm çështjet e tjera, siç është zgjedhja e shefit të shtetit, do të duhej të zgjidheshin me votë. Por vota mungon. Mosgatishmëria për kompromis dhe mosnjohja e realitetit se me votat që ka nuk mund të bëhet zgjedhja e shefit të shtetit nënkupton se duhet një marrëveshje politike”, deklaroi Maloku./RTV21/21Media