Çka pritet pas zgjedhjes së delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë
Zotimet e Limajt për dialogun me Serbinë
Kryetari i Nismës Fatmir Limaj i cili është zgjedhur bashkë-drejtues i delegacionit shtetëror për dialog me Serbinë, u zotua se do të jetë transparent me Kuvendin dhe popullin sa i përket dialogut.
Ai po ashtu deklaroi se do të përfshijnë edhe akademikë e shoqërinë civile me të cilët siç tha Limaj do të konsultohen sa i përket dialogut, përcjell rtv21.tv.
“Në përputhje me rezolutën dhe projektligjin e propozuar dhe të arritjes së një konsensusi të forcave politike, ne do t’i kthehemi këtij parlamenti të Kosovës me një platformë…ju siguroj si bashkë- drejtues i këtij delegacioni shtetëror se do ta kem transparencën, do të jemi në dispozicion të parlamentit, do të jemi në dispozicion të opinionit politik.”, tha Limaj.
Ai shtoi se Kosova është e interesuar që në rajon të mbretërojë paqja.
“Ne futemi në këtë dialog me vetëbesim, me qartësi dhe me objektiv të qartë. Objektivi ynë është njohja e Republikës së Kosovës , anëtarësimi i saj në OKB dhe integrimi i shtetit të Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë”, deklaroi Limaj.
Ai tutje tha se nëse përmbyllet marrëveshja Kosovë- Serbi me njohje reciproke do të jetë marrëveshje historike.
Limaj po ashtu deklaroi se delegacioni do të fillojë punën nga e hëna.
“Do të ulemi si delegacion shtetëror, do të bëjmë agjendën tonë të punës, do t’i formojmë komisionet dhe temat që besojmë se Kosova duhet t’i trajtojë në takimet e ardhshme dhe do të ia prezantojmë qeverisë, parlamentit… Tema që do të trajtohen gjithsesi janë të pagjeturit, dëmshpërblimi nga lufta, tema për suksesionin e Jugosllavisë, e të tjera”, tha Limaj.
Pjesë e këtij delegacioni përveç Limajt do të jenë këta anëtarë:
Shpend Ahmeti (PSD) bashkë-drejtues, Enver Hoxhaj (PDK) anëtar, Avni Arifi (AAK) anëtar, Behgjet Pacolli (AKR) anëtar ,Visar Ymeri(PSD/ vend i rezervuar për opozitën) anëtar, Dugagjin Gorani (AAK/ vend i rezervuar për opozitën) anëtar, Mahir Jagcilar (6 +) anëtar ,Dardan Gashi (zv/ KM) anëtar ,një anëtar nga shoqëria civile.
Gjatë votimit të kësaj rezolute në sallë ishin të pranishëm 61 deputetë ndërkohë munguan deputetët e LDK-së dhe Vetëvendosjes./21Media