Nesër mbahet takimi i krerëve të shtetit me Kosnett për taksën
Ky takim është thirrur nga Veseli
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj do të takohen nesër me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, për të diskutuar rreth kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe. Ky takim është thirrur nga kryeparlamentari Veseli.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte thënë se zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellur me shqetësim nga qeveria amerikane.
“Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit. Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës. Cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë”, kishte thënë ai.
Kurse, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar për kp se se do të ishte naivitet i papranueshëm nëse shpjegohet se raportet në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, varen nga heqja e taksës që Kosova ia ka vendosur Serbisë.
Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018, kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete.