Marrëdhëniet gjermano-turke të tensionuara
Kreu diplomacisë gjermane shpreson që vizita e tij e ardhshme në Ankara, do të zbusë tensionet diplomatike mes Gjermanisë dhe Turqisë
“Jemi në kërkim të mënyrave për rivendosjen e marrëdhënieve të normalizuara me Turqinë”, u shpreh sot ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel.
Gabriel, i cili ndodhej në Rusi për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin, do të udhëtojë drejt Ankarasë në fillim të javës së ardhshme, ku pritet të takohet me ministrin e Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu.
Tema kryesore e diskutimeve dypalëshe pritet të jetë vendimi i Turqisë për ndalimin e vizitës së ligjvënësve gjermanë në bazën ajrore të Incirlikut në Turqinë jugore.
Kancelarja Angela Merkel ka parashtruar mundësinë e tërheqjes së 260 ushtarëve gjermanë nga baza në fjalë, pasi një delegacion parlamentar gjerman nuk u lejua të vizitonte zonën muajin e kaluar.
Autoritetet turke morën vendimin për të penguar vizitën e delegacionit parlamentar, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Gjermanisë për t’u akorduar azil politik ushtarëve turq të akuzuar nga Ankaraja për pjesëmarrje në grushtin e dështuar të shtetit të vitit të kaluar.