Veseli niset për në Hagë

Nesër intervistohet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli është nisur për në Hagë

“Tani jam duke udhëtuar për në Hagë me ftesë të dhomave të specializuara, jam i ftuar për intervistim. Gjykata është sfidë përballë krimeve makabre serbe, por edhe në të njëjën kohë është një moment ndërkombëtar për të rikonfirmuar pastërtinë e luftës së popullit tonë UÇK-së”, tha Veseli në një prononcim për media.

Ai u shpreh se çdo luftetarë është krenarë që ka pasur fatin që t’i shërbejë atdheut të vet, shkruan rtv21.tv.

“Edhe unë jam shumë krenar e falënderoi Zotin. Me asnjë gjë nuk e ndërrojë atë pjesë të asaj jetës time krenare. Historia e UÇK-së është historia e së drejtës të popullit të Kosovës, për liri dhe pavarësi ”, tha tutje Veseli.

Kadri Veseli, nesër pritet të intervistohet nga hetuesit e Gjykatës Speciale në Hagë. Intervista e Kadri Veselit ishte caktuar në fillim të këtij muaji, por që më pas u shtye për 10 dhjetor.

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000./21Media

Back to top button