Fillon mësimi i përshpejtuar për 441 nxënës të Kamenicës

 

Sot ka filluar mësimi alternativ i përshpejtuar për 441 nxënës të Komunës së Kamenicës bazuar në vendimin 23 prillit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).

Ministria ka njoftuar se sipas të dhënave të Inspektoratit të arsimit, në ndërrimin e paradites ky proces ka filluar në ShFMU “Asllan Thaqi” në Karaçevë të Poshtme, ShFMU “Xhelal Sopi” në Petroc dhe në dy paralelet fizike në Shipashnicë dhe Kopernicë, kurse në ndërrimin e pasdites mësimi i përshpejtuar ka filluar në ShFMU “Hasan Prishtina” në Busavatë.

Në bazë të raporteve të Inspektoratit, të gjithë nxënësit kanë marrë pjesë në mësimin alternativ të përshpejtuar.

“Vendimi i MAShTI synon që përmes mësimit alternativ të përshpejtuar të kompensohen orët e humbura për nxënësit e nivelit të arsimit fillor (I-V) dhe nxënësit e nivelit të arsimit të mesëm të ulët (VI-IX). Ministria e Arsimit do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet në kuadër të kompetencave të veta në mënyrë që çdo fëmijë i Republikës së Kosovës të vijojë mësimin, përfshirë fëmijët e Kamenicës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ndryshe, plani për riorganizimin e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta i njohur ndryshe edhe si ‘reforma’ në arsim, nuk u përkrah nga shumë banorë të Kamenicës. Me vendimin për riorganizim parashihej mbyllja e 19 shkollave në këtë komunë./21Media

Back to top button