Kurti kujton masakrën e Rahovecit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar masakrën e Rahovecit.
Kurti thotë se kujtojnë të rënët por edhe të gjallët e kësaj masakre.
“Kujtojmë Masakrën e Rahovecit. Sot u bënë 23 vite nga ofensiva e forcave serbe në Rahovec e javës së 19 korrikut të vitit 1998. Për disa ditë me radhë u ekzekutuan, u morën peng e u zhdukën me dhunë shumë shqiptarë civilë në mënyrë arbitrare. Ushtria, policia dhe paramilitarët serbë vazhduan tutje duke masakruar fëmijë, gra e pleq të strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit. Vranë profesorë. Morën peng civilë. E në fund hapën dy gropa të mëdha ku i varrosën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj ofensive. 150 persona kanë mbetur të vrarë, edhe 10 persona janë ende të pagjetur. Andaj sot kujtojmë të rënët por edhe të gjallët e kësaj masakre. Ata që na lanë, e ata që mbijetuan për të treguar tmerrin e përjetuar, dhe që akoma e bartin mallin e më të dashurve të tyre që më nuk janë, si dhe të atyre që nuk e dijnë se ku janë”, ka shkruar Kurti.
Më 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec shumë shqiptarë u vranë e u plagosën.
Në Tehqen e Sheh Myhedinit në Rahovec u masakruan shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.
Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë, si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, ndërsa gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë. /21Media