Faton Peci: 1 milion fidanë për pyllëzim këtë vit
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci sot ka parë nga afër aktivitetet e pyllëzimeve vjeshtore në fshatin Ponesh të Komunës së Gjilanit, ku ka theksuar se në kuadër të këtij projekti që implementohet nga Agjencia Pyjore e Kosovës dhe MBPZhR-ja, do të mbillen 1 milion fidanë në gjithë territorin e Kosovës.
Me këtë rast, Ministri ka theksuar se pyjet janë potencial i madh për zhvillim ekonomik dhe duke pasur parasysh këtë pyjet janë përfshirë si një nga prioritetet nacionale dhe janë paraparë një varg masash që do të ndërmerren.
“Duke marrë për bazë rëndësinë shumëdimensionale të pyjeve, që nga marrja e mandati tim kam ndërmarrë veprime konkrete që të ngrisim kontributin e sektorit pyjor në ekonominë kombëtare, nëpërmjet ofrimit të kornizës institucionale, dhe rregullativave mbështetëse. Në kuadër të këtij angazhimi gjatë këtij viti ne kemi finalizuar Strategjinë për Pyje 2021 – 2030, kemi themeluar Task Forcën Ndër-Institucionale për Pyje, si dhe po avancojmë legjislacionin përkatës respektivisht Ligjin për Pyje i cili është në proces të finalizimit”, ka thënë ministri Peci.
Ministri Peci ishte i shoqëruar nga Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck, përfaqësuesit e “Ekipit të Gjelbër” nga Ambasada Amerikane, si dhe anëtarët e Shoqatës KUSA (Kosova United States Alumnis).
Ndryshe, sipërfaqja pyjore në Kosovë mbulon diku rreth 44% të territorit dhe këto resurse natyrore me vlera të shumta sociale dhe ekonomike, janë pasuri kombëtare që kanë potencial të madh për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë./21Media