Latifi jep betimin si kryetar i Rahovecit
Smajl Latifi ka dhënë sot betimin për kryetar të Komunës së Rahovecit.
Në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal të Rahovecit, Latifi ka thënë se do t’iu shërbejë qytetarëve me nder, përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie.
Derisa ka shtuar se do të vazhdojnë me përpjekje që të dalin faqebardhë para qytetarëve për një komunë të fortë dhe të zhvilluar.
“Qeverisja e mirë, demokratike, transparente dhe llogaridhënëse përmbush në masë të madhe kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të komunës. Prandaj, do të vazhdojmë me përpjekjet e vendosura që të dalim faqe e bardhë para qytetarëve tanë. Të gjithë e duam një komunë të fortë, të zhvilluar, të përparuar dhe të gjithë qytetarët të ndihen të përmbushur, të respektuar dhe krenar që i takojnë kësaj komune me njerëz të vyeshëm e punëtorë”, ka thënë ai.
Latifi ka thënë po ashtu se në mandatin e tij katër vjeçar prioritetet kryesore mbesin bujqësia, ekonomia dhe mbështetja e prodhuesve në Rahovec.
Kujtojmë se Latifi në zgjedhjet për balotazh të 14 nëntorit doli fitues ndaj kundërkandidatit të tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Visar Korenica.