Përurohet obelisku dedikuar profesionistëve shëndetësorë
Para hyrjes kryesore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është përuruar obelisku në nderim të sakrificës dhe kontributit të punëtorëve shëndetësorë, që humbën jetën në krye të detyrës qoftë gjatë luftës për liri por edhe tani në ballafaqimin me pandeminë COVID-19.
Rifat Latifi, ministër i Shëndetësisë ka thënë se dita e sotme, në prag të ditës hyjnore të përvjetorit të 14 të Pavarësisë së Kosovës, është një moment për të rikujtuar të gjithë mantelbardhët e rënë gjatë luftës sonë çlirimtare, duke i ofruar ndihmë popullit në ditët më të vështira.
Fati i mantelbardhëve, sipas ministrit, është gjithmonë i lidhur ngushtë me fatin e popullit të tyre anë e mbanë botës, ose me popullin që i shërbejnë, sikurse që janë mjekët, infermierë, vullnetarët, që ndihmojnë gjithë botën.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se ky obelisk është një intervenim i vogël për punën e madhe që kanë bërë profesionistët shëndetësorë ndër vite.
Ai ka bërë të ditur se tashmë me Ministrinë e Shëndetësisë kanë biseduar për mundësitë për ndërtimin e spitalit të Prishtinës.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu është shprehur se me këtë monument do të kujtohen vuajtjet dhe sakrificat e të gjithë profesionistëve shëndetësorë ndër vite.
Ai ka theksuar se tashmë 16 shkurti simbolizon edhe ditën përkujtimore për punëtorët shëndetësor./21Media
